9 Dhjetor 2023

Tetë persona kanë ndërruar jetë në SHBA dhe Kanada, si pasojë e shpërthimit të sëmundjes së shkaktuar nga bakteri i salmonelës, që është gjetur në pjeprin e prerë në kutitë e gatshme, ndërsa të paktën 96 të tjerë kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, të paktën 230 raste të të prekurve nga salmonela janë raportuar në 38 shtete të SHBA, ndërsa 129 raste janë regjistruar në Kanada.

Shumë nga ata që u sëmurën raportuan se kishin ngrënë pjepër të prerë të blerë në supermarkete dhe dyqane në formatin e paketimit plastik.

Njerëzit që kanë marrë trajtim spitalor janë kryesisht të moshuarit nga azilet dhe shtëpitë e kujdesit, por edhe fëmijët nga çerdhet dhe qendrat e kujdesit ditor.

Numri i njerëzve të prekur nga shpërthimi, ka të ngjarë të jetë më i lartë se sa është raportuar, pasi zakonisht duhen tre deri në katër javë për të përcaktuar nëse një person i sëmurë është pjesë e së njëjtës valë të prekurish.

Gjashtë kompani kanë lëshuar njoftime për tërheqjen e produkteve që përmbajnë pjepër, duke përfshirë përzierjet e kupave me fruta, ndërsa “Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave” (FDA) tha se nëse njerëzit nuk janë të sigurt për pjeprin që blenë nuk duhet ta konsumojnë atë.

“Njerëzit nuk duhet të blejnë, hanë ose shërbejnë pjepër nëse nuk e dinë se nga ka ardhur”, tha Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Kanada.

Salmonela shkakton dhimbje stomaku, të vjella dhe diarre. Mund të shkaktojë sëmundje serioze tek fëmijët e vegjël, tek njerëzit më të vjetër se 65 vjeç dhe tek ata me sistem imunitar të dobësuar.

Nga OraNews