Sabratha, një nga qytetet e mirë ruajtura te Perandorise Romake.(+album)-

I vendosur rreth 100 kilometra nga Tripoli, qyteti i lashtë Sabratha tërheq vëmendjen me bukurinë e rrallë të mirëmbajtur. Qyteti është regjistruar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ndërsa gjatë sundimit të ish-Presidentit Muamar Gadafi qyteti ishte qendër e rëndësishme turistike dhe kulturore.

Në kohen e Gadafit, Sabratha shpeshherë ishte shfrytëzuar për mbajtjen e koncerteve të ndryshme dhe ngjarjeve kulturore. Themelimi i qytetit daton 500 vjet para epokës sonë kur u themelua nga Fenikët. Megjithatë emri i tij tregon për mundësinë se më parë në këtë vend ekzistonte popullsia vendore e quajtur Berbera. Perandoria Romake në kohën e ngritjes së saj pushtoi dhe romanizoi këtë zonë, ndërsa në periudhën e shekullit të 2-të apo 3-të të epokës së re qyteti u rindërtua dhe u zgjerua, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sabratha, ashtu si e ruajtur deri sot, është e njohur për teatrin e lashtë tre-katësh. UNESCO në vitin 1982 e përfshiu në listën e trashëgimisë botërore, por për shkak të trazirave dhe luftës për pushtet ky qytet mesdhetar për katër vjet nuk ka regjistruar asnjë vizitë turistike.

Një nga zyrtarët përgjegjës për kujdesin dhe ruajtjen e Sabrathës tha se gjatë revolucionit në 2011, qytetin e ka ruajtur ushtria. Ai rikujtoi se që nga fillimi i luftës civile askush nuk vjen në këtë vend dhe shprehu shpresën se këtij guri të çmuar historik përsëri do t’i kthehet shkëlqimi i mëparshëm dhe që turistët nga e mbarë bota të kthehen përsëri.

Sabratha në kohët romake ishte në rrugën e tregtisë. Nëpërmjet saj kanë kaluar mallrat nga Afrika Veriore në tokën evropiane. Në mesin e ndërtesave të shumta ka tempuj të ndryshëm të përkushtuar hyjnive të lashta.