O burra, t’i pushkatojmë gazetarët!-

Nga Alma Nikolli.-

Unë jam relativisht e re në fushën e medias. Kam pak kohë që ashtuquhem gazetare, që sulmohem e shahem me apo pa të drejtë dhe që pëlqehem a lexohem herë pas here. Por, kjo pak kohë më ka bërë të kuptoj disa fakte, që dikur mund të mos i dija.

Në shoqëri fjala “gazetari” ka një nam të madh dhe që lidhet më tepër me televizionin. S’kam për ta kuptuar kurrë, pse shqiptarët duan aq shumë të dalin në televizor. Kur ndiqja studimet master në gazetari dhe ndonjë i afërm i moshuar më pyeste se për çfarë po shkollohesha, ngazëllehej me përgjigjien dhe më thoshte: “O mezi pres me të pa duke dhënë lajmet.

E unë qeshja, se e dija që përherë do dua të shkruaj, edhe pse ende ai mund të jetë duke më kërkuar në ndonjë kanal. Sidoqoftë edhe unë para se ta shikoja së afërmi këtë fushë e kam menduar si më të lakmueshme, ama nuk është ashtu. Është si secila punë tjetër, që nëse e bën me dëshirë dhe pasion ke kënaqësi të herë pas herëshme, por kur të intereson vetëm dhe vetëm data e rrogës, mezi i nis ditët që janë, përherë të ngrysura.

Gazetarët nuk janë vetëm ata me kostum të hekurosur që marrin miliona, apo që analizojnë gjithçka. Ata janë më të pakëtit. Gazetarët janë ata që u bëjnë gati çdo informacion këtyre të parëve, janë ata që kanë kredi për të mbyllur, që rrinë me orë të tëra në shi e diell, apo ngujuar në karrige. Janë ata që hanë kryesisht byrekë, sanduiçë dhe pica. Kur kanë fat i hanë të ngrohta, ndërsa herë të tjera të ftohta sapo “ftohet” pak lajmi i fundit. Gazetarët blejnë rroba të përdoruara, rrinë gjithë ditën me këmbë të lagura dhe e kanë çadrën me tela të ndryshkur e të thyer, si çdo tjetër shqiptar i këtij vendi që e mbyll muajin “jek e jek”.

Nuk është aspak e lehtë që në 7 të mëngjesit, pasi je shtyrë e kacavjerrë në autobuset e Tiranës e ke ngrënë një byrek rrugës, të të telefonjë korrespondenti që të njofton se një burrë ka vrarë gruan me sëpatë. Ja ku nisi dita.

Djem e vajza që përditë janë afër dhimbjes, shohin një nënë që vajton jetimët e saj të uritur e s’munden të bëjnë asgjë veçse një raportim shpesh të padobishëm.

Ishin fillimet e mia në redaksi, po përktheja një lajm nga bota. Një fëmijë i vogël kishte rënë në pellgun e krokodilëve, u gjet i vdekur. Shikoja fotografitë e tij, një vogëlush bjond shumë i bukur me sy blu të qeshur. Qava fshehurazi dhe punova gjithë ditën në heshtje. Me siguri eksperienca të tilla ka plot. Trishtim e pafuqi të projektuar në lot që nuk janë derdhur kurrë.

Gazetarët nuk kanë festë, sepse edhe kur ka festë duhet të raportojnë se si po festojnë të tjerët.

Por, gazetarët e kanë shkatërruar më shumë se askush gazetarinë. Duke u pajtuar me realitetin apo duke u shitur për pak. Para një mjeku, prokurori, inspektori a juristi të korruptuar mjaftohen të kryejnë punë vetë, duke “luajtur kartën” e gazetarit, nuk mendojnë për universalitetin e problematikës.

Gazetarët janë edhe ata që bëjnë opozitë të përkohshme, që kanë bindje të verbëra partiake, kur duhet të ishin opozita e përjetshme e çdokujt.

Gazetarët janë edhe ata që ua ka zgjedhur sistemi i pikëve profesionin dhe jo pasioni.

Por, gazetarët janë edhe ata që punojnë me javë të tëra pa paga, me paga të përgjysmuara, apo me paga të papaguara.

Gazetarët kanë për të ngrënë bukë e për të rritur fëmijë.

Gazetarët janë një qënie e gabueshme, por nuk kanë faj që shqiptari është qenie e korruptueshme. Nuk kanë faj që prindërit shqiptarë e injektojnë që në hapat e parë të jetës së fëmijës këtë infeksion, kur mbushin me dhurata mësueset e vogëlushëve.

Gazetarët gabojnë po aq sa të tjerët, thjeshtë puna e tyre është më e dukshme, kur vjen rasti për t’ua kritikuar.

Ama, Shqipëria do të ishte më e mirë, nëse gazetarët do të ishin më pak të këqinj, jo profesionalisht, por si njerëz.