21 Mars 2026

Nga Julia Vrapi

Përmirësimi i infrastrukturës ligjore është e domosdoshme për zhvillimin e artit dhe mbështetje të qëndrueshme për artistët, pasi një bazë ligjore e fortë krijon kushte më të mira për mbrojtjen e të drejtave të tyre, rrit mundësitë për financim dhe sponsorizim, si dhe siguron stabilitet dhe transparencë për institucionet kulturore. Në muajt e fundit të vitit të kaluar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit u bë me dije hartimi i strategjisë kombëtare në art dhe kulturë 2026-2030.

Artistë dhe drejtues institucionesh u mblodhën në takimin, që u organizua për hartimin e saj, por tenori Rudi Sata shpreh shqetësimin e tij për problemet, që po përjeton kultura shqiptare, duke vënë në dukje mangësitë sipas tij të administratës dhe strategjive të Ministrisë së Kulturës.  “Administratat tona bëjnë vetëm show dhe produkti është zero.

Ajo që bëri Ministria e Kulturës marketing. Një strategji low-cost dhe një produkt që kërkojnë ta shesin si high-class”, shprehet tenori Rudi Sata në një reagim të tij. Tenori Sata, i cili edhe më parë ka shprehur shqetësimin e tij për një sërë çështjesh në fushën e artit dhe kulturës, thekson gjithashtu rëndësinë e një strategjie afatgjatë, që të përfshijë të gjitha nivelet e sektorit kulturor. Ai kërkon një plan të detajuar për institucionet kulturore si Teatri i Operës dhe Teatri Kombëtar, i cili të përfshijë aspekte të tilla si ngritja e nivelit artistik, krijimi i infrastrukturës ligjore të duhur dhe mbështetje për artistët, veçanërisht ata të rinj, që të mos shohin emigrimin si një mundësi për të realizuar karrierën e tyre.

“Strategjia për artin dhe kulturën nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit duhet të ketë një plan strategjik, një platformë të detajuar për të gjithë institucionet e pushtetit qendror, si Teatri i Operës, Teatri Kombëtar, etj, duke filluar që nga aspekti se si do të rritet niveli artistik, nga hartimi i infrastrukturës ligjore, ashtu si nga ana sociale që është shumë e rëndësishme. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi me sektorin privat, partneriteti me të, ndryshimi i ligjit për sponsorizimet që deri tani asgjë. Më kryesorja për mua është rekrutimi i artistëve të rinj shqiptarë që të mos emigrojnë”, vijon tenori.

Puna për strategjinë e kulturës

Vjet në tetor nga MTKS u bë me dije se ka nisi puna për strategjinë kombëtare të kulturës 2026-2030. Ndërsa tenori Rudi Sata thekson se është një punë që duhet me ekspertët. “Strategjia, në radhë të parë, bëhet nga ekspertët e MTKS dhe pastaj ministria bën tryezën e rrumbullakët, por jo të marrësh ata njerëz që vetëm ngrenë dorën. Takimi që u bë më parë për strategjinë për mua ishte një show”, vijon tenori Rudi Sata. Sipas MTKS, në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondacionin “Santagata”, strategjia e re synon të fuqizojë institucionet kulturore; të mbështesë artistët dhe skenën e pavarur; të investojë në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare; të krijojë kushte dinjitoze për artin si profesion e burim të qëndrueshëm jetese.