Rrofte Vangjush Dako –

Çmenduri në Durrës; Lokali varros murin antik

Në nëntor të vitit 2016, Bashkia e Durrësit filloi ndërtimin e projektit “Veliera”. Si pasojë  ka dalë mbi sipërfaqe një trashëgimi e gjallë arkeologjike, siç është muri antik, që i përket periudhës bizantine.

Sipas arkeologëve, bëhet fjalë për Golden Gate (Porta e Artë) e rrugës Egnatia. Kjo ishte porta e trefishtë, ku fillonte rruga Egnatia nga Durrësi në Konstandinopojë. Por, sot ajo ndodhet poshtë pallatit të ndërtuar pranë sheshit të Torrës Veneciane dhe përdoret si zbukurim nga një lokal.

Në çdo vend tjetër, zbulime të tilla arkeologjike do të shërbenin për të ndaluar punimet. Por, në Durrës nuk ka ndodhur kështu. Siç duket edhe në pamjet e siguruara nga Tirana Today, muri më shumë se për funksion historik, është duke u përdorur për qëllime dekorative.

Ndërkohë, qytetarët thonë për Tirana Today se bashkia duhej të merrte masat që ai mur të konsiderohej vepër arkeologjike. Sipas tyre, në Durrës janë të shumta rastet kur pallate apo ndërtime të reja, janë bërë mbi rrënoja historike. Të cilat nëse do të zbuloheshin masivisht, do të kishte një impakt të madh te historia e Shqipërisë dhe jo vetëm.

Edhe pse mund të mendohet që një mur historik brenda një lokali modern, do të tërheq turistët e huaj, duket se ata nuk janë shumë mbështetës. Një turist thotë për Tirana Today se nuk duhet përzier historia me modernizimin, sa të humbasë identiteti. Një tjetër turiste, shprehet se kjo gjë, është më mirë se të bëhet shkatërrimi total i veprave antike.

Burimi: Tirana Today.