9 Nentor 2025

Rijetëzim i kullave në 4 qarqe, një nismë për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik përmes trashëgimisë kulturore. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka konceptuar sëbashku me GIZ një program për rijetëzimin e kullave- shtëpi i fokusuar në këto elementë kryesorë: Kullat si Ruajtëse të Identitetit Kulturor Kombëtar: Shtëpitë tradicionale – kullë janë një reflektim unik dhe autentik i historisë shqiptare, mënyrës së jetesës dhe arkitekturës.

Rindërtimi i tyre luan një rol thelbësor në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e identitetit kombëtar; Kullat dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Trashëgimisë: Duke rijetëzuar dhe përshtatur kullat për përdorim bashkëkohor (arsimi, turizmi, aktivitetet kulturore), këto struktura historike mund të transformohen nga objekte muzeale statike në elementë dinamikë dhe funksionalë të jetës së përditshme komunitare; Kullat si Mjet për Edukimin dhe Ndërgjegjësimin Kulturor: Shtëpitë-kullë ofrojnë një mundësi për mësimin e historisë shqiptare, arkitekturës tradicionale dhe vlerave shoqërore.

Ministri Blendi Gonxhja që ishte i pranishëm në prezantimin e Programit për Rijetëzimin e Kullave në bashkëpunim me GIZ Shqipëri shprehet se programi përfshin katër qarqe: Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë, dhe synon që kullat të mos mbeten më vetëm monumente. “Por të rijetëzohen si bujtina, qendra kulturore, muze lokale apo pika edukimi që lidhin historinë me jetën bashkëkohore.

Kullat do të shndërrohen në bujtina, qendra kulturore dhe vende mikpritjeje që ruajnë historinë, por sjellin zhvillim të qëndrueshëm për komunitetet përreth”, shprehet Gonxhja. Faza e parë (viti 2025-2026) do të fokusohet në identifikimin e kullave në 4 qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës; hartimi i projekteve tip për secilin qark; zhvillimi i programit të plotë për rijetëzimin e kullave që synon të përfshijë më tepër aktorë të tjerë publikë, apo donatorë të tjerë. Faza e dytë (2026-2028) vijon me restaurim i kullave, rijetëzimi i tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare, etj.