Referendum për Kushtetutën, shpërndarje e parlamentit? Çfarë paralajmëroi Meta

15 nentor 2019

Presidenti Ilir Meta lë të kuptuar se shumë shpejt mund të kërkojë referendum popullor për ndryshimin e Kushtetutës. Duke e quajtur Kushtetutën mbi çdo institucion tjetër në Shqipëri, kreu i shtetit tha se nuk mund të lejojë asnjë përpjekje për të kapur sistemin e drejtësisë.

Meta mori shembull betimin e tij me dorën mbi kushtetutë para parlamentit kur u zgjodh president, për të thënë se betimi në Kushtetutë nuk mund të konsiderohet thjesht ceremonial dhe formal. Po ashtu, Meta kujtoi 22 nëntorin, ditën kur u votua me referendum kushtetuta, duke paralajmëruar se “në momentin e duhur presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës siç tha ai, për të mbrojtur demokracinë”.

Deklarata e presidentit Ilir Meta në përgjigje të interesit të gazetarëve pasi mori pjesë në Forumin rajonal për barazinë gjinore

Ilir Meta: Është tërësisht e zgjidhur. Për të gjithë ata që dinë të lexojnë kushtetutën dhe meqënëse po afron 22 nëntori dita kur populli votoi me referendum kushtetutën, dhe këto parime të Kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara pavarësisht nga deformimin e pandershme që janë bërë në pabesi ndaj vullnetit të popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve, kam një paralajmërim të fundit për ata që mendojnë se betimi i Metës me dorën mbi kushtetutë si president ka qenë një proces formal apo ceremonial. Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri se Kushtetuta e cila ka vetëm një garant të pacenueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, në përpjekje për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti, me një dekret shpërndahet, qeveria me mocion mosbesimi rrëzohet, presidenti me një impeachment nga një parlament legjitim, jo nga ky…përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale do t’i bëj të qartë se kjo është Kushtetutë që mbron popullin dhe do të jetë detyrë e popullit dhe e Presidentit t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore”.

Pyetje nga gazetarët: Shpërndarja e parlamentit?!

Ilir Meta: Besoj se jam shumë i qartë, secili të zbatojë kompetencat e veta, veprimet do të vazhdojnë të jenë nga presidenti institucionale,. dhe në momentin e duhur presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrën më barbare sidomos këto 2 vite kur është lënë qëllimisht pa gjykatë Kushtetuese. I uroj suksese anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”

O.J/DITA