Rrugëtimi 106 vjeçar i revistës së parë shqiptare “Hylli i dritës”. –

 “Hylli i dritës” themeluar nga at Gjergj Fishta dhe Shtjefen Gjecov Kreziu para 106 vitesh vjen në një ekspozitë tek kalaja e Tiranës. Provinca  Françeskane vazhdon botimin në gjurmët e At Zef  Pllumbit,  i cili e risolli revistën pas rënies së diktaturës në 1993.

Ishte viti 1913 koha kur një grup intelektualësh françeskanë, nën drejtimin e At Gjergj Fishtës i dhanë frymë revistës së parë shqiptare, e cila siç besonte Fishta do të ngjallte shpresën e lirisë intelektuale. Edhe sot françeskanët ecin në gjurmët e tij.

Ekzemplar origjinal të revistës prezantohen në ekspozetë prej qelqi te Kalaja e Tiranës. Ky aktivitet jubilar vjen në bashkëpunim mes provincës Françeskane, Arkivit të Shtetit dhe Bibliotekës Kombëtare.

Për shkak të daljes hapur në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare, revista u përball me vështirësi, ku u ndërpre 5 herë në rrugëtimin e saj. 8 vite pas numrit të parë 1913 u rikthye dhe u ndërpre në 1944 për shkak të të thanit të gjërave troç. Pas përfundimit të luftës dhe instalimit të diktaturës, për 50 vite as nuk mund të mendohej rikthimi i revistës dhe fjalës së lirë.

Pas rënies së komunizmit, më 1993 Atë Zef Pllumi  e risolli sërisht “Hyllin e dritës.

Atë Gjergj Fishta ishte drejtuesi i “Hyllit të dritës” në vitet 1913-1914 dhe 1931. Më pas drejtues  ishte Atë Anton Harapi, për t’ia lënë vendin më 1939-n Gjon Shllakut. Në vitet 1993-1997 gazeta është drejtuar nga Atë Zef Pllumi, dhe kryeredaktor Aurel Plasari, ndërsa nga viti 2007 e deri tani revista drejtohet nga Ardian Ndreca.

Në jubileun e 100-vjetorit , “Hyllit të Dritës” është digjitalizuar dhe mund të shihet në faqen e saj zyrtare.

Historia e “Hyllit të Dritës” është dhe historia e rrugëtimit të medias shqiptare. Këtë vit Provinca françeskane shqiptare festoi edhe 800 vjetorin e pranisë së franceskaneve në Shqipëri dhe përkujtuan edhe 148 vjetorin e lindjes se At Gjergj Fishtës themeluesit të Hyllit të Dritës.

Gazetare: Leontina Nika