Auron Tare për Butrintin: – Janë falsifikuar dokumentet dhe zhdukur provat arkeologjike. Ndërtohen Vila dhe pallate

Amfiteatri Butrint
14 Nëntor 2026
Heqja nga zona e mbrojtur e një territori pranë Butrintit, me qëllim hapjen e rrugës për ndërtimin e vilave dhe pallateve, është kundërshtuar nga studiuesi Auron Tare. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në një emision televiziv, ai komentoi vendimin e bërë publik nga ministrja Mirela Kumbaro, duke ngritur shqetësime për rrezikimin e një zone me vlera të rëndësishme historike dhe arkeologjike.
Tare pretendoi se dokumentacioni arkeologjik i zonës është falsifikuar dhe materialet që dëshmonin vlerat e saj janë zhdukur.
“Kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë zhdukur materialet ku dilte zonë arkeologjike.” – deklaroi Tare.
Studiuesi theksoi se territori ndodhet rreth 50 metra nga Muri i Demës, një monument antik i shekullit të katërt para Krishtit, që shënonte kufirin e Butrintit antik. Ai kërkoi që pretendimet për ndërhyrjet në dokumentacion dhe ndryshimin e statusit të zonës të hetohen nga SPAK.
“Kjo duhet të çohet në SPAK, sepse në atë zonë janë bërë kërkime arkeologjike ku kanë dalë rrënoja arkeologjike.” – u shpreh Tare.
