Rama “udhëzime” Prokurorisë: Tire Alldervishi zhvaste e vetme në Covid2

– 14/01/21

Kryeministri Edi Rama nuk ngurroi t’i ofrojë udhëzime Prokurorisë së Tiranës në lidhje me rastin korruptiv të sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi.

Rama, teksa lavdëroi si rrallëherë gazetarët – konkretisht ato të emisionit investigativ “Stop” të cilët e bënë publike ngjarjen e rëndë – tha se reporterët nuk kanë provuar se Tire Alldervishi është e lidhur me mjekë apo infermierë të tjerë.

“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, dhe patjetër që jam i keqardhur për atë histori, që faktikisht cënon imazhin, reputacionin dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve, dhe krijon perceptimin se kjo është mënyra e punës së shumë njerëzve.

Ajo që më ka ngrohur është puna e bërë nga gazetarët investigativ, se kanë nxjerrë në pah një llumë tejet të papërtypshëm, njëkohësisht nuk kanë provuar, përkundrazi, në të gjithë invetigimin e tyre nuk kanë provuar se ajo sanitare ishte e lidhur me mjekë apo me infermierë të tjerë.

Është një kambanë alarmi që njerëzit nuk duhet të japin para në këtë mënyrë, pyll pa derra nuk ka, kjo nuk e zhbën punën e të gjithë mjekëve të tjerë”, – u shpreh Rama.

Sot Gjykata e Tiranës i bëri thirrje Prokurorisë të thellojë hetimet, nëse bëhet fjalë për një rast sporadik, apo skemë zhvatjeje të pacientëve nga stafi mjekësor i spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Gazeta Mapo