4 Tetor 2026

Mjeku Erion Dasho, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, ka ngritur alarm lidhur me rrezikun e përhapjes së bakterit të salmonelës në Shqipëri, format e transmetimit dhe masat që duhen marrë urgjentisht për parandalim.

Dasho theksoi se higjiena në sektorin e gastronomisë është hapi i parë kritik, duke kërkuar trajnimin e detyrueshëm të personelit për larjen e duhur të duarve, veçanërisht për punonjësit e huaj që vijnë nga vendet e Azisë si India apo rajone të tjera.

Lidhur me produktet me rrezikshmëri më të lartë, eksperti nënvizoi se mishi i shpendëve, veçanërisht ai i pulës, si dhe vezët, mbeten burimet kryesore të infeksionit nëse nuk gatuhen mjaftueshëm. Ai sqaroi se zierja apo pjekja e plotë është e domosdoshme dhe se shumë restorante tashmë e kanë hequr përdorimin e vezës së pagatuar nga recetat e tyre pikërisht për të shmangur këtë bakter.

Gjithashtu, një tjetër burim i fshehur rreziku janë frutat dhe perimet barishtore. Sipas eksperteve, këto të fundit shpesh ndoten nga përdorimi i plehut organik, ndaj kërkojnë një larje dhe pastrim me kujdes maksimal përpara konsumimit.