Projekt restaurimi për Kishën e Shën Kollit nga Bashkia Reskovec. –

Kisha Shën Kollit në Kurjan e ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin eshte  përfshire në një projekt restaurimi. Kjo u bë me dije gjatë vizitës së ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila tha se projekti “Rrugët e Besimit” po zgjerohet dhe Ministria e Kulturës ka gjithmonë në vëmendjen të saj kryesore bashkëpunimin me partnere të rëndësishëm ku një vend të veçantë zë bashkëpunimi me pushtetin vendor. “Jemi këtu për të theksuar se turizmi kulturor është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës”, u shpreh Kumbaro nga Kurjani i Roskovecit. Ndërkaq që projekti i restaurimit ka financim nga Bashkia e Roskovecit. “Me financim të Bashkisë Roskovec dhe bashkëpunimin me Institutin e Monumenteve të Kulturës është hartuar një projekt i përbashkët miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Ndërhyrjet konsistojnë në restaurimin e çatisë, muraturës, fasadës së objektit; pikturës murale dhe sistemin e ambienteve përreth objektit”, thuhet në faqen e Ministrisë së Kulturës. Kisha e Shën Kollit (Kurjan) është një monument i trashëgimisë kulturore në Kurjan, rrethi i Fierit miratuar me numër “6, 15.1.1963. Kisha e Shën Kollit siç quhet nga vendasit dikur mbulohej nga një qemer cilindrik tipik për kishat ortodokse. Gjatë shekujve kupola është shembur dhe është zëvendësuar nga një çati prej druri dhe tjegullash. Po kështu kishës i mungon edhe portiku i dikurshëm që ndodhej në anën perëndimore të saj si dhe dy portikë të tjerë të vegjël që mbulonin portat veriore dhe jugore të naosit. Nga ato kanë mbetur vetëm bazamentet dhe disa kapitele antike të stilit Dorik. Ashtu si në të gjitha kishat mesjetare që ndodhen në rajonin e Fierit edhe tek ajo e Kurjanit gjejmë gurë, kolona dhe mbishkrime të marra nga Apollonia ose qytetet e tjera antike. Pjesë të tjera të kësaj faltoreje janë edhe tre absidat, ku ato në murin verior dhe jugor janë më të vogla se ajo në murin e anës lindore, kurse dyshemeja është shtruar me pllaka guri. Në këtë kishë shihet edhe ndikimi i stilit romane që e gjejmë tek harku i portës jugore. Ky stil perëndimor erdhi në Shqipëri me pushtimet e mbretërisë së Napolit gjatë shekujve XI-XIV. Në vitin 1956 një ekspeditë studimore e Universitetit të Tiranës dhe institutit të historisë bëri një nga zbulimet më interesante në brendinë e kësaj kishe, siç ishte fakti se afresket e saj ishin pikturuar në vitin 1578 nga piktori ikonograf Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësi i tij Joani.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/