Preç Zogaj: – Rama e ka të pamundur të mbyllë mandatin e dytë, pikëpyetje të mëdha ngrihen për ministrat e rinj. –

07/01/2019.  

Analisti Preç Zogaj, ishte i ftuar në “Ditarin” e orës 09:00 në A2, ku foli për aktualitetin politik dhe jo vetëm. Zogaj shprehet se Shqipëria është në protestë të gjerë dhe nuk është vetëm ajo e studentëve. Më tej, ai komenton ndryshimet në qeveri, duke i vlerësuar si të drejta largimet, ndërsa ngre pikëpyetje për ministrat e rinj.

Si është dhe ku është Shqipëria sot?
“Shqipëria është në protestë. Protesta e studentëve është simbolike, por në njëfarë mënyrë e gjithë Shqipëria është në protestë. Po shpërthen periudha e qeverisjes propagandistike, po dalin në pah problemet reale që ka vendi”.

Ndryshimi në qeverinë “Rama 2”
“Nevoja për ndryshime ishte reale. Largimi i disa ministrave ishte gjëja e duhur, ndoshta disa nuk duhet t’i kishte përfshirë fare në qeveri. Shumica dërrmuese e meritonin largimin. Pikëpyetjet e mëdha ngrihen për ata që erdhën. Katër apo pesë prej tyre janë fare të panjohur. Nuk improvizohet klasa politike si me magji. Posti i ministrit është finalizimi i një karriere të gjatë. Besoj se Presidenti do t’i dekretojë të gjithë nëse nuk gjen shkelje. Por unë nuk po flas për këtë aspekt, por për publikun. Përgjegjësia buron ose nga vota ose nga vepra, por të rinjtë nuk kanë asnjërën nga të dyja. Shqipëria është përballë disa problemeve që e bëjnë të pamundur edhe mbylljen e mandatit të dytë”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/