5 Qershor 2023

(Art News) Policia italiane ka gjetur më shumë se 3 mijë e 500 artefakte si rezultat i një operacioni afatgjatë që përfshin qindra oficerë. Operacioni rezultoi në arrestimin e 21 të dyshuarve. Njoftimi u bë në një konferencë shtypi në Puglia.

Departamenti i policisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore bashkë me karabinierët punoi me grupin e operacioneve speciale ROS dhe me skuadrën ajrore “Cacciatori Puglia” për të kryer dhjetëra kërkime kundër individëve të dyshuar për grabitje dhe gërmime të paligjshme, si dhe trafikim të artefakteve arkeologjike të vjedhura. Artefakte me “vlera të paçmueshme historike, kulturore dhe tregtare”.

Sipas mediave italiane, operacioni u quajt “Canusium”, një referencë për emrin e lashtë të Bashkisë ku grupi i trafikimit kishte bazën e operacioneve të tij. Puna hetimore dhe masat paraprake u shtrinë në rajonet e Puglias, Basilicatas, Campanias, Lazios dhe Abruzzos dhe zgjatën pothuajse një vit.

Ndërsa 21 të dyshuar janë arrestuar deri më tani në kuadër të operacionit “Canusium”, hetuesit kanë thënë se ka gjithsej 51 të dyshuar, duke përfshirë grabitës varresh, trafikantë ndërkombëtarë dhe një lloj ndërmjetësi të njohur. Midis gjetjeve arkeologjike të vjedhura ishin vazo, bizhuteri, llamba vaji dhe monedha ari dhe ishin në shitje si në tregun vendës ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Fiks 3 mijë e 586 artefaktet që janë gjetur përfshijnë kupa, pjata, vazo në miniaturë e po ashtu edhe monedha që nga shekulli IV para erës sonë.

Prokurori Francesco Tosto i quajti sendet e gjetura të rralla dhe të vlefshme, duke vlerësuar vlerën e monedhave deri në 60 mijë euro.

Policia italiane gjeti gjithashtu 60 detektorë metali dhe objekte të tjera në përputhje me gërmimet klandestine, duke përfshirë thumba të gjatë metalikë dhe lopata.

Gazeta Koha, Prishtine