6 Mars 2024

Policia e Kosovës i ka gjetur të mërkurën pesë raketahedhës (zolla) në afërsi të Manastirit të Banjskës në qytetin verior të Kosovës, Zveçan, për të cilat dyshon së ndërlidhen me sulmin e 24 shtatorit në këtë fshat.

“Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Sulmuesit ishin strehuar për një kohë në Manastirin e Banjskës.

Pas sulmit, në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, përfshirë automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë, po ashtu, për terrene malore, tha Policia e Kosovës në atë kohë.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

Më 16 shkurt, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për fletarrestime./REL

Nga OraNews