Polici Brahimaj: Takimi me Tahirin në Greqi për skafin dhe dreka me Habilajt. –

May 15, 2018.-

-Faktet e reja të sjella nga Greqia dhe që disponohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, lanë në “arrest shtëpie” ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Punonjësi i policisë Naim Brahimaj ka pranuar njohjen me Saimir Tahirin dhe që është takuar me të në gusht të vitit 2014 për shkak se ish-ministrit të Brendshëm i ishte prishur skafi.

Në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një pjesë të së cilën e disponon Tv Klan, që mban datën 11 Maj 2018, thuhet se ish-ministri i kishte kërkuar ndihmë policit Brahimaj për skafin e prishur.

Naim Brahimaj, i cili aktualisht mban detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës, u telefonua nga Greqia nga Saimir Tahirit në Gusht të vitit 2014.

Në atë periudhë, ish-ministri ka qenë me pushime në shtetin fqinj, dhe kishte shkuar në Korfuz me skaf, ku dhe i ishte prishur.

Mjeti lundrues nuk është në pronësi të Saimir Tahirit, por në atë kohë ishte në përdorim prej tij.

“Deklarime të shtetasit Naim Brahimaj, aktualisht punonjës policie me detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës, dhënë në datë 26.04.2018 para prokurorit të çështjes, dokumentuar në procesverbal ‘Për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale’.

Në tërësi, deklaruesi njoftoi për angazhimin e tij mbi kërkesën e Saimir Tahirit, në funksionin e ministrit të Brendshëm, për rregullimin e skafit të përdorur nga ky i fundit në pushimet e tij në Greqi, në Gusht 2014 si dhe për angazhimin më pas në dërgimin e skafit në Itali për servis dhe kthimin e këtij të fundit përsëri në Shqipëri.

Sipas deklaruesit, gjatë karrierës së tij punoi në Vlorë me detyrën e ndihmës specialistit të forcave speciale, shofer dhe komandant skafi, pranë Repartit Delta Force. Gjatë kësaj kohe dhe në vazhdimësi, njohu Artan Habilajn, Moisi Habilajn dhe Aurel Konakçiun.

Në Gusht 2014, në mbrëmje vonë, në numrin e tij telefonik 06********, u telefonua nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, i cili i tregoi se i ishte prishur një motorr skafi, ndodhej larg dhe i kërkoi mendim se si duhej të vepronte. E udhëzoi të mundohej ta ankoronte diku. Komunikoi disa herë me të atë natë dhe u njoftua se ishte mundësuar ankorimi. Saimiri i kërkoi që të nesërmen të shkonte në Greqi, ku ai ndodhej me pushime, ndërsa do ta merrte dikush me makinë dhe do të shoqërohej edhe nga një teknik tjetër.

Të nesërmen rreth pasdites, u telefonua nga Artan Habilaj, të cilin e njihte më parë. Me të, së bashku dhe një shtetas tjetër, të quajtur Aurel Konakçiu, udhëtuan me automjetin Audi i cili i ishte blerë Saimirit, në drejtim të Greqisë, duke kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë. Mbërritën kur ishte ende natë, në vendin e ankorimit të skafit, ndërsa Artani si drejtues mjeti orientohej shumë mirë. Duke filluar që në mëngjes, ai dhe Aureli u morën me rregullimin e skafit me mbishkrimin Solemar me fuqi 234 kw me dy motora Nanni, me gjatësi rreth 12 metra, ndërsa Artani lëvizi pa ditur se për ku. Më vonë aty mbërriti edhe Saimiri. Gjatë kohës së qëndrimit atje, u takua me babain e Saimirit, Bashkimin, me Elona Gjebrenë që ndodhej së bashku me bashkëshortin“, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Udhëtimi drejt Italisë me Moisiun për rregullimin e skafit të Tahirit”

Në këtë pjesë të dytë të dëshmisë së Brahimajt, flitet për udhëtimin drejt Brindizit në Shtator të 2014 me Moisi Habilajn (i arrestuar në Itali) dhe Aurel Konakciun, për të rregulluar skafin të cilin mbante në përdorim Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri.

Pjesë nga dëshmia

“Pas rreth një muaji, Aureli e mori në telefon dhe i kërkoi ta shoqëronte për në Itali, ku do të dërgonte skafin (e përmendur më sipër) në servis. Shkoi në Vlorë dhe takoi Aurelin dhe Moisi Habilajn, ndërsa skafi ndodhej në vendin ku e kishin lënë të ankoruar. Moisiu u kërkoi të shkruanin edhe emrin e tij, ndërsa shkoi në Kapiteneri dhe mori lejen e lundrimit. Udhëtuan të tre në drejtim të Italisë dhe mbërritën në Portin e Brindisit duke qenë Aureli kapiteni dhe ai motorist.

Qëndruan disa ditë në Brindizi dhe tek stafi shkuan disa persona të cilët morën përsipër rregullimin e tij. Gjatë ditëve të qëndrimit atje, shpenzimet u paguan nga Moisiu. U kthye sëbashku me Aurelin me traget në Durrës, ndërsa Moisiu ishte larguar një ditë më parë.

Disa ditë pas kthimit Aureli e mori në telefon dhe e njoftoi se duhej të shkonin në Itali për të marrë skafin, i cili nuk ishte rregulluar. Shkuan me traget nga Durrësi në Bari dhe më pas në Brindizi me tren. Të nesërmen morën skafin dhe u kthyen në Durrës. E nxorën skafin në tokë dhe e lanë atë pasi ishte i prishur. Shpenzimet e udhëtimit nuk arriti të mësojë se nga kush u paguan”.

Naim Brahimaj në vitin 2014 ka mbajtur detyrën e ndihmës specialistit të forcës speciale, shofer dhe komandant skafi pranë repartit “Delta Force”.

Ai aktualisht është punonjës policie me detyrën e inspektorit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës.

a.s/dita