pele putin

3 Qershor 2022 

Legjenda e futbollit, Pele i është drejtuar me një letër publike Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për luftën në Ukrainë.

Në letrën e publikuar në rrjetet sociale, Pele i drejtohet Putinit me një kërkesë direkte, që të ndalojë luftën në Ukrainë, pasi sipas tij, ky konflikt po sjell vetëm dhimbje, frikë, terror e ankth.

Edhe pse mes Europës dhe Brazilit ka një diferencë ore të konsiderueshme, Pele mesa duket ka ndjekur gjysmëfinalen “play off”, të cilën Ukraina e fitoi kundër Skocisë dhe të dielën do të ketë shansin që kundër Uellsit të meritojë edhe kualifikimin në “Katar 2022”.

“Sot Ukraina po kërkon që të harrojë të paktën për 90 minuta dramën që ka përfshirë vendin e saj. Prandaj, dua të përfitoj nga fitorja e tyre në Skoci për të bërë një kërkesë direkte, të ndalohet pushtimi. Nuk ka absolutisht asgjë që të justifikojë këtë dhunë të vazhdueshme. Ky konflikt është i poshtër, i pajustifikueshëm dhe sjell vetëm dhimbje, frikë, terror e ankth.

Luftërat ekzistojnë për të ndarë kombet, por nuk ka asnjë ideologji të justifikueshme që predhat dhe plumbat të varrosin ëndrrat e fëmijëve, të ndajnë familjet dhe të vrasin të pafajshmit. Fuqia për të ndalur këtë konflikt është në duart e tua, të njejtat që shtrënguam aq përzemërsisht në Moskë, në takimin tonë të fundit në vitin 2017”, mbyll Pele postimin e bërë ndaj Vladimir Putinit.

Gazeta Dita