Po ndodh tani. – Shiu nuk i ndal, studentët e rretheve në këmbë drejt Tiranës. Pasdite ka Protesta te banorve  ne disa qytete.

14 Dhjetor, 2018

Për gati 10 ditë me radhë studentët e rretheve iu janë bashkuar protestës së moshatarëve të tyre në universitetet publike në Tiranë. ‘BalkanWeb’ mëson se edhe ditën e sotme, pavarësisht motit kryesisht me reshje, nuk i ka penguar studentët në Elbasan, Gjirokastër, që të protestojnë. Po ashtu bëhet e ditur se disa studentë nga Korça, Elbasani, të nisen drejt Tiranës, ku do t’i bashkohen protestës së rinjve para Kryeministrisë.

ELBASAN

Përveç atyre studentëve që u nisën drejt Tiranës, një tjetër grup u mblodhën para Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ ndërsa bënë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë. Ata u shprehën se: “Mësimi është bojkotuar jo për të mbushur kafenetë, por për të luftuar për të drejtat e tyre”.

 

KORÇË

Studentët e universiteti të Korçës kanë bojkotuar mësimin, ndërsa grupe të ndryshme janë nisur drejt Tiranës. Ata do t’i bashkohen protestës që do të mbahet para Kryeministrisë, ndërsa të gjithë janë në pritje të plotësimit të 8 kërkesave që i janë parashtruar njëzëri qeverisë. Gazetarja Lorena Kodra pohoi për ‘BalkanWeb’ se ditën e sotme është njoftuar një mbledhje mes Rektoratit dhe studentëve, ku do të vendoset edhe nëse do të plotësohen apo jo 8 pikat.

STUDENTË NGA LEZHA NË KËMBË DREJT TIRANËS

Studentë, gjimnazistë, të rinj nga Lezha janë nisur në këmbë drejt Tiranës, ku do t’i bashkohen protestës që po mbahet tek Kryeministria.

Teksa mbajnë një banderolë në duar, ‘Për demokraci’ të rinjtë kanë sfiduar të ftohtin dhe shiun, ndërsa ecin në këmbë përgjatë Lezhë-Milot.

GJIROKASTËR

Edhe studentët e Gjirokastrës janë hedhur sërish në protestë, ndërsa kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Gazetarja Brikena Metaj raporton për ‘BalkanWeb’ se sot është parashikuar që në Rektorat të mbahet një takim me studentët, ku do të diskutohet për këto 8 pika.

(ed.me/BalkanWeb)