1 Shkurt 2024

Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë së Lirisë, në mbledhjen e tij të datës 1.02.2024 vendosi miratimin e qëndrimit politik të saj të shprehur në deklaratën si më poshtë.

DEKLARATA

Partia e Lirisë konstaton me shqetësim të lartë politik dhe qytetar se vendi po përballet me probleme madhore të rritjes së kostos së jetesës dhe rrënim të mirëqenies së qytetarëve, që janë pasojë e ngushtimit të hapësirave të demokracisë dhe të lirive themelore, të mungesës së respektimit e zbatimit të ligjit dhe bllokimit të llogaridhënies nga qeveria, të korrupsionit dhe tjetërsimit skandaloz të pasurive publike dhe atyre private nga qeveria dhe përfaqësuesit e saj, të polarizimit ekstrem, të degradimit të shërbimeve publike shëndetësore dhe arsimore, të degradimit të sigurisë së jetës së qytetarëve, që reflektohen me shpopullimin masiv dhe dramatik.

PL: Të gatshëm për të ngritur një strukturë

Situata politike në Shqipëri sot përfaqëson një narko-qeverisje për realizimin e të cilës mazhoranca aktuale investon çdo ditë me paratë e korrupsionit, trafiqeve dhe krimit.

Kapja e të gjitha pushteteve e pasurive publike e kombëtare është qëllimi i saj i vetëm dhe jo përmirësimi i jetës së qytetarëve.

Opinioni publik është çdo ditë nën presionin e një makinerie shtetërore manipulimi të financuar dhe kontrolluar nga qeveria, e cila përdor paranë dhe mediat e kontrolluara prej saj për të paraqitur një realitet të gënjeshtërt përpara shqiptarëve dhe për të devijuar vëmendjen nga denoncimi i aferave korruptive me miliarda euro.

Procesi i integrimit në Evropë nuk ka ecur përpara pasi qëllimi i qeverisë nuk është evropianizimi i vendit dhe integrimi në Evropë, por një proces pothuajse i bllokuar, që i jep mundësi qeverisë dhe drejtuesve të saj të vazhdojnë pasurimin e tejskajshëm në kushtet e mungesës së kontrollit, paligjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë.

Mazhoranca ka bërë gjithçka ka mundur për të dëmtuar e dobësuar opozitën dhe opozitarizmin duke investuar për përçarjen e saj dhe duke keqpërdorur institucionet e kapura të drejtësisë.

Ajo ka shkatërruar institucionin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të ndershme si dhe duke përdorur politikisht instrumente të pushtetit gjyqësor.

Partia e Lirisë, si një nga tre forcat kryesore politike, vlerëson se forcimi i opozitarizmit dhe konsolidimi i opozitës nuk është një çështje e partive, anëtarësise apo liderëve të tyre, por një çështje themelore e ekzistencës së demokracisë dhe pluralizmit.

Partia e Lirisë, si një nga tre forcat kryesore politike, është e bindur se çdo kontribut për forcimin e opozitarizmit fillon me forcimin e vetë Partisë së Lirisë, në zgjerimin e mbështetjes së saj qytetare dhe përfaqësimin e qytetarit dhe fermerit të thjeshtë, të mësuesit e mjekut, profesionistit e biznesmenit që bazohet në punën e ndershme, të pedagogut e studentit, të veteranit e pensionistit.

Partia e Lirisë është e angazhuar të përfaqësojë të papërfaqësuarin, të kthejë besimin tek i zhgënjyeri, angazhimin tek indiferenti, optimizmin tek i riu.

PL: Të gatshëm për të ngritur një strukturë

Partia e Lirisë ka gatishmërinë dhe vendosmërinë për të kontribuuar me luajalitet dhe përkushtim në krijimin e një konsensusi të gjerë për të garantuar përfaqësimin e qytetarëve dhe forcimin e opozitarizmit.

Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e një organizimi konsensual dhe solid të të gjitha forcave opozitare për të përgatitur e paraqitur përpara shqiptarëve zgjidhjen politike që do t’u kthejë atyre sovranitetin e zgjedhjeve të lira pa presion e shantazhe, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, do të kthejë të larguarit dhe do të shpejtojë integrimin në Evropë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia e Lirisë është e vendosur që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një konsensusi, pjesëmarrjeje e përfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë e deri në nivelin më të lartë të drejtimit të saj.

Partia e Lirisë, si një nga tre forcat kryesore politike, u bën thirrje të gjithë forcave opozitare t’i bashkohen këtij qëllimi të lartë, në funksion të mbrojtjes së demokracisë, pluralizmit politik dhe fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Nga OraNews