Piktorja nga Kosova me “Paradisus Terra” në ekspozitën e galerisë londineze

Piktorja nga Kosova me “Paradisus Terra” në ekspozitën e galerisë londineze

4 shkurt 2021

Nga Alberina Haxhijaj

“Paradisus Terra” e realizuar vitin e kaluar, sipas autores Shkurte Ramushi, është vepra e cila më së miri ia zbërthen stilin artistik

Çdo mëngjes piktorja kosovare Shkurte Ramushi e hap kompjuterin e saj. Për të ai është shndërruar në një lloj galerie. Aty i sheh veprat që po i ekspozohen nëpër vende të ndryshme. Së fundmi, piktura e saj “Paradisus Terra” është bërë pjesë e ekspozitës virtuale “Identity”, që është hapur nga galeria “The Holy Art” në Londër.

“The Holy Art” vepron edhe si një organizatë e cila ka për qëllim organizimin e ekspozitave të artit dhe fotografisë në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe përtej. Sipas përshkrimit të saj në ueb-faqen zyrtare, qëllim e ka mbështetjen e artistëve. Ekspozita “Indentity” e hapur më 29 janar është e qasshme virtualisht deri më 7 shkurt. Ajo sillet rreth temës së identitetit dhe pikturat që janë dërguar është dashur të jenë të tilla që përfaqësojnë artistët.

Piktorja 28-vjeçare ka aplikuar në këtë ekspozitë me pikturën “Paradisus Terra”, pasi që, sipas saj, është vepra që më së miri ia paraqet stilin artistik.

Shkurte Ramushi teknikë të preferuar i ka ngjyrat e vajit në pëlhurë e letër. Për pikturat e saj frymëzohet nga natyra, shoqëria, por edhe nga ndjenjat e saj. Këto elemente gërshetohen edhe te piktura që po i ekspozohet në Londër. Ajo është vepër nga ciklit i saj “Parajsa tokësore”.

“Piktura është nga tema e parajsës tokësore. Unë e kam quajtur ‘Paradisus Terra’, një emër latin, por që flet konkretisht për parajsën në tokë. Piktura është realizuar vitin e kaluar, por besoj që është një ndër pikturat që më së miri i paraqet motivet e mia në pikturë, paraqet parajsën tokësore”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kjo pikturë më së miri e përfaqëson atë në ekspozita ndërkombëtare, pasi që ka dëshirë që të njihet pikërisht nëpërmjet këtij stili.

“Piktura flet për natyrën, për parajsën në tokë, për parajsën që ne e kemi çdo ditë afër vetes, çdo ditë shkelim mbi të, por nuk e quajmë të tillë dhe çdo ditë mundohemi që të kërkojmë diçka abstrakte, të kërkojmë parajsën në qiell apo kudo tjetër. Por unë mendoj që parajsa është ajo që ne e jetojmë dhe e shohim për çdo ditë. Është ajo që duhet ta ruajmë për brezat e ardhshëm”, ka thënë ajo.

Por ekspozimi online nuk ishte i lehtë në fillim. Ramushi ka thënë se fillimisht e ka menduar si diçka shumë të vështirë, por duke eksploruar ka parë që është një mundësi për të promovuar artin e saj.

“Ky është edhe qëllimi i artistëve, që veprat që i realizojnë t’i ekspozojnë pasi që ato nuk i bëjnë vetëm për vete, por ato duhet të ndikojnë te ndërgjegjja e shoqërisë ose e publikut. Ekspozimin online e kam parë si mundësi të mirë, pavarësisht se kjo lëvizje e tillë ndoshta nuk është e shëndetshme në një formë që të rrimë mbyllur dhe të punojmë vetëm virtualisht”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se ekspozimi online dhe promovimi i artit e artistëve nga Kosova, e cila është e mbyllur dhe e izoluar prej Evropës e botës, janë një mundësi shumë e mirë që po u ofrohet. “Pasi që e gjithë bota po punon në këtë formë, pse jo edhe ne”, ka thënë ajo.

Tani, kjo mënyrë ekspozimi artistes kosovare ia mundëson që të komunikojë më lehtë me publikun. Së fundmi i është konfirmuar edhe pjesëmarrja në ekspozitën virtuale “Online Karma Art Exhibition” në Turqi.

“Kuratorë janë dy artistë të artit në Turqi (Mustafa Duhan dhe Oguzhan Simsek v.j.). Ka qenë një mundësi e lehtë. E pashë në Instagram dhe më është konfirmuar që jam pranuar. Ekspozita nuk ka ndonjë temë, edhe aty tematika është e lirë, ndoshta ndihmon fakti që dëshirojnë që të promovojnë artin dhe të mos e konkretizojnë me tema apo diçka tjetër”, ka thënë ajo. Detajet e tjera pritet që të bëhen të ditura së shpejti.

Sidoqoftë, në këtë ekspozitë ajo do të paraqitet me pikturën “Under Sunshines”, po ashtu pjesë e ciklit “Parajsa tokësore”.

“Viteve të fundit, në shumicën e ekspozitave kombëtare, por edhe ndërkombëtare, kam ekspozuar me këtë temë, sepse kanë qenë ato që më kanë përfaqësuar më së miri, edhe pse kam pasur tema të tjera të cilat unë i kam ndjekur dhe kam dërguar punime të ndryshme që i përshtaten temës së caktuar”, ka thënë ajo.

Në shtator të vitit të kaluar piktorja ishte promovuar nga platforma “Dark Yellow Dot” e Londrës si “Artiste e muajit”. E në dhjetor, autoportreti i piktores u bë pjesë e ekspozitës online “Women Suffragists”. Në këtë ekspozitë, që u fokusua në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me gratë, u ekspozuan punimet e 48 artisteve nga e gjithë bota.

Gazeta Koha, Prishtine