6 Gusht 2022

…”Një krizë e mundshme në Tajvan rrezikon të bllokojë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë globale”.

Çdo produkt teknologjik që ka nevojë për një chip për të funksionuar ia dedikon ekzistencën e tij Tajvanit. Një pjesë e mirë e transporteve detare nga dhe për në Lindje kalon nga Tajvani. Mjaftojnë këto dy informacione bazë për të kuptuar se sa strategjik është ishulli, dhe sa i varur është fati i tij nga marrëdhëniet e tensionuara mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Taipei jo vetëm  eksporton teknologji, dhe shumicën e komponentëve të nevojshëm për t’i prodhuar diku tjetër, por kontrollon dhe një pjesë të konsiderueshme, rreth 10% të anijeve që i shpërndajnë nëpër botë. Të dhënat domethënëse janë ato që përshkruajnë shpërndarjen në nivel global të shkëmbimeve tregtare: Kina 26%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës 13%, Japoni 11%, Hong Kong dhe BE 8%. Ishulli nuk është një vend kalimi i itenerareve, por është një nga nyjet kryesore që ‘ushqejnë’ tregtinë globale. Një krizë e mundshme në Tajvan rrezikon të bllokojë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë globale.

Çdo implikim gjeopolitik, tension apo kërcënim duhet të përballet me pasojat katastrofike që do të kishte një bllokim i mundshëm i Tajvanit.

Vizita e kryetares së dhomës së përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, dhe qëndrimi i saj për ishullin në premtimin se nuk ai nuk do të braktiset dhe se amerikanët janë krenarë për miqësinë e vjetër, shkaktoi zemërimin e Pekinit. Ministri i jashtëm kinez e konsideroi si një farsë. Ndërsa ministri i jashtëm rus u shpreh se nuk e kuptonte arsyen e vizitës por e kishte të qartë se Uashingtoni po ndjek të njëjtën politikë si me situatën në Ukrainë.

Paralelizmi mes Ukrainës dhe Tajvanit, nga ana e Rusisë, tingëllon si një paralajmërim. Sepse nëse përkeqësimi i krisë në Ukrainë, në frontin perëndimor, mund të parashikohej duke lexuar më me kujdes manovrat dhe hapat e afrimit të Putin vitet e fundit, një përshkallëzim në frontin lindor të Tajvanit do të ndodhte pas një përgatitjeje po aq  të planifikuar.

Nëse kriza ruso – ukrainase po vë në rrezik ekonominë globale, një krizë në Tajvan do të shtonte një goditje shumë të fortë ndaj tregtisë globale. Kjo për shkak të forcës strategjike të Taipeit dhe për rolin thelbësor që ka në marrëdhëniet me të gjithë botën e industrializuar.

Gazeta Dita