PD denoncon emrat e deputetëve të PS: – Votat në Berat u blenë me 50 mijë lekë! – Ja provat për përsëritjen e zgjedhjeve

14 maji 2021

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ shqyrton sot kërkesën ankimore të PD dhe LSI për qarkun e Beratit. Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ ka paraqitur argumentet dhe prova, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve.

Sipas PD, kandidatët e PS, Hatixhe Konomi dhe Nasip Naço kanë ngritur një skemë kriminale të blerjes së votës me 50 mijë lekë për person.

“Në qarkun e Beratit ne kemi denoncuar në 7 prill në SPAK një skemë kriminale të ndërtuar nga drejtues politik të PS, konkretisht shtetësja Hatixhe Konomi e renditur e para, së bashku me shtetasin Nasip Naçon i renditur i 4 në listën shumë emërore të PS. Këta shtetas në bashkëpunim me shtetasin Mirel Konomi, drejtues i njësisë administrative nr 1 dhe Lorenc Toroveli ka pasur raste të blerës së votës të peesonave të ndryshëm.

Hatixhe Konomi së bashku me kunatin e saj që është drejtues i njësisë administrative kanë blerë vota ose përmes të hollave ose përmes kuponëve të ID. Ndërsa Nasip Naço dhe Toroveli kanë blerë vota kundrejt shumës 50 mijë lekë të vjetra”

PD theksoi se këto akte kanë cënuar rëndë procesin zgjedhor me qëllim deformimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve.

“Partia Demokratike ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme faktin se në zonën zgjedhore Qarku Berat nuk kishte përballë saj një parti politike dhe kandidatët e saj që garonin me një ofertë politike, por pushtetarë që vepronin si grupe të strukturuara kriminale që blinin vota, kërcënonin qytetarët, intimidonin nëpunësit publikë, shpërndanin leje legalizimi/ndërtimi, licensa dhe shpërblime të ndryshme.”u shprehën përfaqësuesit e PD në kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit.

Gazeta Panorama