22 Dhjetor 2025

Nga Julia Vrapi

Ikona “Shën Mëhilli” fundi i shekullit XVI, është një vepër që i shpëtoi degradimit. Ikona “Shën Mëhilli” e shekullit XVI është një ikonë e rrallë e Nikollës, birit të Onufrit dhe puna me restaurimin e saj vijoi disa muaj. Kjo ndërhyrje jo vetëm që ka shpëtuar një pasuri të vyer kulturore, por ka mundësuar edhe një herë shfaqjen e mjeshtërisë të Nikollës, birit të Onufrit, duke ruajtur kështu një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore. Ikona paraqiste një sërë problematikash, ndërsa për të më parë është hartuar edhe një projekt restaurimi. Nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bëhet me dije se puna restauruese me ikonën u realizua nga restauratori Erion Lezi në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit. “Një tjetër vepër i shpëton degradimit dhe rikthehet në shkëlqimin e saj të plotë. Pas hartimit të projektit dhe një pune delikate disamujore në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit të muzeut “Onufri”, restauratori Erion Lezi përfundoi me sukses ndërhyrjen restauruese të ikonës “Shën Mëhilli”, fundi i shek. XVI, atribuar Nikollës (birit të Onufrit)”, thuhet nga Qendra Kombëtare Muzeore “Berat”, që ka ndarë dhe disa foto të ikonës në faqen e saj. Ikona vjen nga kisha e “Shën Kostandinit dhe Helenës” në Kalanë e Beratit dhe paraqiste problematika serioze: çarje të panosë së drurit, dëmtime dhe mungesa të shtresave përgatitore, gufime, degradim të pelikulës piktorike, papastërti të qëndrueshme nga ndërhyrje të mëparshme (dyll, blozë, parafinë), si dhe oksidim të vernikut. Ikona “Shën Mëhilli” e shekullit XVI, një vepër që i shpëtoi degradimit, por sipas Qendrës Kombëtare Muzeore Berat pas restaurimit asaj iu rikthye gjallëria e ngjyrave dhe eleganca e siluetës së vizatimit. “Duke nxjerrë qartë mjeshtërinë e Nikollës dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të Onufrit”, thuhet nga Qendra Kombëtare Muzeore Berat. Ikona “Shën Mëhilli” e shekullit XVI për disa javë do t’i ofrohet e ekspozuar publikut në muzeun kombëtar të ikonografisë “Onufri” në Berat.

Restaurimi i kësaj ikone nga specialistët në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit të muzeut “Onufri” është në vijim dhe të tjerë objekteve më parë. Këto ditë edhe DRTK Berat shprehej se çdo ndërhyrje në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit realizohet pas një analize të gjendjes materiale dhe historike të veprës, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe integritetit. “Procesi ndërhyrjes përfshijnë pastrim, konsolidim dhe stabilizim të materialeve, si dhe dokumentim teknik të çdo faze të procesit të restaurimit”, thuhet nga DRTK. Muzeu i ikonografisë “Onufri” me një koleksion të pasur objektesh vazhdon të jetë edhe ndër më të vizituarit. Ai është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.