22 Dhjetor 2025

Ka nisur seanca gjyqësore për dosjen ‘Partizani’.

Avokatja e ish kryeministrit Sali Berisha, Klodiana Gjyzari sapo ka nisur parashtrimet.

Mbrojtja e kreut të PD, argumenton se SPAK nuk ka asnjë provë apo veprim konkret se çfarë ka bërë Berisha.

“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cenuar pluralizmin ne Shqipëri”, shprehet ajo.

Më tej ajo shton: “Janë shtrembëruar në mënyrë të dukshme faktet. Me këtë rast, kanë thënë për çdo gjë ‘fajin e ka Saliu’, por harrohet që gjatë vendimmarrjeve organet janë kolegjiale. Ka parashtrim të rremë të fakteve. Taulant Balla nuk e ka bërë kallëzimin si shtetas; me këtë duam të themi se nuk është e vërtetë ajo që tha gjyqtarja paraprake, se kallëzimi është bërë nga një shtetas. Balla e ka bërë kallëzimin si përfaqësues i shumicës politike. Dhe gjatë kohës së hetimeve, z. Balla ka qenë ministër i Brendshëm.

Avokatja: SPAK e regjistroi drejtpërdrejt sapo u paraqit kallëzimi. Pavarësisht se Balla kishte paraqitur kallëzim publik, Prokuroria nuk e kishte regjistruar këtë çështje si procedim penal kryesisht.

Nga përmbajtja e kallëzimit janë regjistruar këto elementë: interesi i shpronësimit të ish-pronarëve, sipas Ballës, ka nisur në vitin 2008. Sipas zotit Balla, në vitin 2008 kanë ndodhur të gjitha, dhe sipas kallëzuesit fakti që Malltezi është i afërt me kryeministrin e kohës ka sjellë këtë proces.

Nga hetimi ka rezultuar se edhe me ekspertin që ka zgjedhur Prokuroria, përmbajtja e kallëzuesit ka qenë e rreme. Pra, ka rezultuar se, ndryshe nga ajo që thotë Balla se e kishte parë me sy aktet e shpronësimit me Italinë, Prokuroria e Posaçme kreu hetime të thelluara dhe nuk e gjeti këtë akt shpronësimi as në Itali.

Rezultoi gjithashtu se katër nga familjet pronare nuk kanë asnjë lidhje familjare apo njohje me Berishën; fatkeqësisht ato ishin kufitarë. Pronat e familjes Begeja ndodhen në mes të pronës, dhe këto prona kufitare kishin akte të qarta që i përkisnin familjes Begeja dhe jo shtetit. Pra, të pesë familjet rezultojnë si kufitare dhe kjo është e provuar nga SPAK.

Përveç faktit që nuk u gjet akti i shpronësimit (që Ministri i Brendshëm thotë se e ka pasur), rezulton se pronarët kanë nisur procesin e njohjes në vitet 1995-1996, ku Mahmut Begeja i është njohur e drejta e parablerjes, dhe jo në kohën që pretendon zoti Balla.

Avokatja shton ‘edhe familjet e tjera e kanë nisur procesin e njohjes dhe parablerjes në të njëjtën periudhë. Pengesa nuk ka qenë kush ishte në qeveri dhe kush jo, por pengesë ka qenë ligji’.