17 Maji 2023

Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, ka dhënë dorëheqje.

Në daljen e parë publike pas rezultatit të zgjedhjeve, ku PD nuk arriti të ishte shumicë ne asnjë prej 61 bashkive, Alibeaj tha se heq dorë si nga drejtimi i PD-së, ashtu edhe nga pozicioni i kreut të Grupit Parlamentar.

“Zgjedhjet e 14 majit padyshim patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz e të tjera. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja. Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në Grupin Parlamentar”, tha Alibeaj.

Rezultati i PD-së në zgjedhjet e 14 majit, paraqet humbjen më të thellë të këtij subjekti politik në 33 vjetët e pluralizmit në Shqipëri.

Në zgjedhjet e 14 majit, Partia Socialiste fitoi 53 bashki, 7 i mori koalicioni “Bashkë Fitojmë” që përfshin Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe atë pjesë të demokratëve që u rreshtuan krah liderit historik të PD-së, Sali Berisha. Ndërsa PD-ja e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj doli me kandidatë vetëm në 14 bashki, por nuk mori asnjë prej tyre dhe në rang vendi u rendit si forcë e tretë.

Alibeaj tha se tashmë PD duhet të ketë rregulla dhe parime të reja për t’u ndarë nga e kaluara “berishiste”.

“Ne nuk kemi lejuar që PD-ja të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit. Ne duam një parti demokratike euroatlantike”, tha Alibeaj i cili njoftoi mbledhjen e Kryesisë mesditën e së premtes.

Ai tha gjithashtu se PD-ja do të ketë një drejtim kolegjial derisa të merren vendimet e duhura për ringritjen e kësaj partie.

Enkelejd Alibeaj e mori drejtimin e PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës në mars të vitit të kaluar.

Kriza e përfaqësimit të PD-së është krijuar që shtator të vitin 2021, kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar dhe nga Partia Demokratike, ish-kreun e partisë, njëherësh ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.

Vendimi nuk u pranua nga Berisha dhe mbështetës të tij, të cilët mblodhën struktura paralele duke i kërkuar anëtarësisë të votojë për forumet e reja të partisë si Kuvendi i Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar e të tjera, të cilat votuan Sali Berishën për kryetar partie, por edhe logon e re të PD-së.

Më 21 mars të 2022, Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së.

Më 25 mars të 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij.

Ky vendim u ankimua nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike. Gjykata e Apelit vendosi që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit.

Gazeta Shqiptare