5 Janar 2023

Partia e Lirisë, duke iu referuar shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, ka denoncuar kryeministrin Edi Rama se po “fryn në mënyrë të paligjshme dhe politike shtetin me patronazhistë për qëllime elektorale”.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PL-së, Tedi Blushi, kjo fryrje “po shkatërron Buxhetin e Shtetit”.

“Shteti i kapur hap vende pune, të cilat nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, për të “rehatuar” patronazhistët, dhjetëra mijëra vende pune humbin në sektorët më prodhues dhe mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë. Prandaj është koha për të çliruar administratën nga fuksat dhe patronazhistët dhe për ta kthyer shtetin në shërbim të qytetarit!”, tha Blushi në deklaratën për mediat.

Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi

Vënia e shtetit në funksion të punësimit të patronazhistëve është prova më e rëndë e degradimit të administratës publike nga Edi Rama.

Instituti i Statistikave raporton se nga viti 2014 në sektorin publik janë shtuar rreth 22 mijë punonjës.

Vetëm vitin e kaluar në momentin e fushatës elektorale, administrata u rrit me rreth 8 mijë persona.

Për shkarkimet partiake dhe pa ligj shteti shqiptar është detyruar të paguajë në 8 vitet e fundit më shumë se 108 milionë euro për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të 15 mijë punonjësve.

Kur erdhi në pushtet, Edi Rama premtoi një administratë publike efikase dhe me numër më të vogël punonjësish. Por faktet tregojnë totalisht të kundërtën.

Pas reformës në pushtetin lokal në vitin 2015, në vend se numri i punonjësve të pakësohej, siç u trumbetua me të madhe, përkundrazi, administrata u dyfishua dhe nga 19.600 punonjës shkoi në 35 mijë punonjës duke i kushtuar Buxhetit të Shtetit rreth 100 milion euro shtesë.

Realisht financimi i Bashkimit Europian prej 32 milion euro për një administratë publike profesionale, dinjitoze dhe të pakorruptuar ka shkuar dëm pasi mijëra specialistë dhe profesionistë të trajnuar janë shkarkuar padrejtësisht nga “Rilindja”.

Fryrja e paligjshme dhe politike e shtetit me patronazhistë për qëllime elektorale po shkatërron Buxhetin e Shtetit, llogaridhënien dhe transparencën dhe po rëndon çdo ditë edhe më shumë qytetarët shqiptarë që më bukën dhe djersën e tyre paguajnë me kosto ekstra të pamerituara një administratë publike që jo vetëm nuk u shërben, por edhe i vjedh, i shtyp dhe i zemëron çdo ditë.

Ndërsa shteti i kapur hap vende pune, të cilat nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Shqipërisë, për të “rehatuar” patronazhistët, dhjetëra mijëra vende pune humbin në sektorët më prodhues dhe mijëra biznese mbyllen dhe falimentojnë.

Prandaj është koha për të çliruar administratën nga fuksat dhe patronazhistët dhe për ta kthyer shtetin në shërbim të qytetarit!

Gazeta Panorama