20 Gusht 2023

Tre mbrëmje me aktivitetin “Open Cinema” do të zhvillohen në Pukë. Filma, muzikë dhe të ftuar janë pjesë e këtyre netëve të “Open Cinema” në datat 22, 23 dhe 24 gusht. “Open Cinema” zhvillon këtë vit edicionin e shtatë dhe ka qenë deri tani në disa qytete, ku sipas producentit dhe kineastit Skënder Jaçe në Pukë filmat do të shfaqen në sheshin qendror të qytetit.  “Në Pukën e traditës, filma, argëtim, kuice e të ftuar special. Tre mbrëmje të bukura me “Open Cinema” nën magjinë e artit të 7-të. Filmat e fundit të kinemasë shqiptare dhe jo vetëm, artistë të njohur shqiptar”, shprehet Jaçe.

Sipas Jaçes në këto net janë të ftuar në Pukë artistët Kristina Ndoja, Eranda Libohova, Miranda Kullani, Irma Libohova, Liljana Kondakçi, Herion Mustafaraj, Jorgo Papingji do të jenë në Pukë. Ndër filmat që do të shfaqen përmendim  “Çkrepja”, “Mbjellja e pemëve”, “Jashtë Kontaktit”, filmi i animuar “Legjenda e vendit të shenjtë”, etj, ku nuk do të mungojë dhe retrospektiva e kohës “Puka në vite”.

Në Pukë aktiviteti “Open Cinema” zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Rrok Dodaj.

Në lashtësi Puka përfshihej brenda trevës veriore të fisit ilir pirust, i njohur si shkrirës dhe përpunues metalesh. Zhvillimi ekonomik gjatë Antikitetit dhe Mesjetës i dhanë shkas zhvillimit të jetës qytetare me qytetet a qytezat, si: Ad Picaria, Pukae, Shqeli, Delmace, Gralisht, Iballe, Crevenum (Spas), Sarda (Shurdhahu), etj. Në shek. VI – VIII bëhet e njohur “Kultura e Komanit” në Delmace, një kulturë materiale qytetare arbërore mesjetare të një ekonomie të zhvilluar zejtare vendase në një mjedis bashkësie fshatarësie aktive. Në këtë zhvillim ekonomik dhe qendrat urbane, ndër shekuj është e lidhur edhe prania e një rrjeti institucionesh të rëndësishme të kultit të krishter e më vonë islamik, si peshkopatat në Delmace; Sarda, Dukagjin (Spas) dhe Abacia e Shën Palit në Kabash, Xhamia e Pukës, Xhamia e Dukagjinit dhe Teqja e Simonit (Spas). Në shek.XI-XIlI krahina e Pukës përfshihet në principatën e Veriut, të Centës; kurse brenda vendit në trevën krahinore  “Pulatum”. Më pas, Puka bëhet një nga krahinat kryesore të principatës së Dukagjinëve.

Gazeta Sot