OBSH ngre alarmin: 10 % e pacientëve me COVID-19, simptoma serioze edhe 12 javë pas infektimit

25 SHKURT 2021

Mijëra pacientë me COVID-19 vazhdojnë të vuajnë simptoma serioze dhe të zgjatura shumë muaj pas periudhës së tyre fillestare të infeksionit, me pasoja të mëdha sociale, shëndetësore dhe ekonomike, thanë të enjten ekspertë të OBSH.

Sipas tyre, rreth një në 10 pacientë me COVID-19 nuk janë mirë as 12 javë pas infeksionit të tyre akut dhe shumë vuajnë nga simptomat për një kohë më të gjatë.

“Kjo është një gjendje që mund të jetë jashtëzakonisht dobësuese. Ata që vuajnë prej tij përshkruajnë një kombinim të ndryshëm të simptomave të mbivendosura duke përfshirë dhimbje gjoksi dhe muskujsh, lodhje, gulçim, konfuzion dhe shumë simptoma të tjerë,” tha Martin McKee, profesor në Observatorin Evropian për Sistemet Shëndetësore dhe Politikat, që drejtoi raportin.

Hans Kluge, drejtori rajonal evropian i OBSH-së, tha që “COVID i zgjatur” mund të ketë pasoja të rënda sociale, ekonomike, shëndetësore dhe profesionale.

“Barra është reale dhe është e konsiderueshme,” tha ai.

Ai u kërkoi autoriteteve shëndetësore të dëgjojnë shqetësimet e pacientëve, t’i marrin ato seriozisht dhe të krijojnë shërbime për t’i ndihmuar ata.

Provat në rritje nga e gjithë bota tregojnë për mijëra njerëz që përjetojnë COVID të gjatë. Gjendja duket se nuk lidhet me faktin nëse një pacient kishte një infeksion të rëndë ose të lehtë.

Gazeta Shqip