Një piktor që bën bashkë 29 piktorë të tjerë shqiptarë. –

Nga Bardha Nergjoni

Azem Kuçana ka arritur të bashkojë në një ekspozitë 29 piktorë shqiptarë të kohëve dhe stileve të ndryshme. Edhe pse e di fort mirë se shqiptarët nuk bëhen lehtë bashkë, piktori që e ka parë artin nga dimensione të ndryshme, ia ka arritur qëllimit. Ekspozita është kurorëzuar me titullin “Së bashku” ku secili ka hapsirën e tij në galerinë e piktorit, i cili e cilëson një arritje me vlerë këtë ekspozitë për krahasimin dhe përballjen e ngjyrave, ndjesive dhe perceptimeve artistike. “Së bashku” Azemi ka vendosur piktorë të mirënjohur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia duke përzgjedhur stile dhe ngjyra të ndryshme. Disa nga artistët në ekspozitë janë: Kujtim Buza, Agron Dine, Agron Mulliqi, Aleksandër Filipi, Besim Tula, Burhan Ahmeti, Gazmend Leka, Buron Kaceli, Gjergj Simoni, Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Pashk Përvathi, Xhaneta Kadillari, Zymer Mulliqi.

Ai e ka provuar artin larg Shqipërisë. Gjermania për 8 vjet do të ishte një eksperiencë e rrallë por që do ta kthente sërish në Shqipëri ku do të përfundonte studimet në Akademinë e Arteve. Ka hapur shumë ekspozita e bashkëpunime, ka marrë pjesë në kolana piktorësh, shëtit edhe tani Shqipërinë për të freskuar artin e tij të pikturës. Azemi nuk është vetëm piktor i peisazhit. Ai ka pikturuar edhe kaosin e Tiranës dhe çdo gjë që i ka bërë përshtypje në kryeqytet. Thotë se piktura në Shqipëri nuk vlerësohet sa duhet. Sa për pikturat e Kryeministrit, nuk i komenton, e megjithatë i pëlqen çmimi i shitjes së tyre, pasi arti për të duhet vlerësuar edhe nga paraja. Madje tregu i artit gjithashtu duhet formalizuar nisur nga eksperiencat e vendeve perëndimore. Në një intervistë për tesheshi.com, Azem Kuçana sjell këndin e tij të mendimit për pikturën, Shqipërinë, Kryeministrin, kryeqytetin dhe të ardhmen e artit që lëvron.

Si ju erdhi në mendje të mblidhnit bashkë në një ekspozitë 29 piktorë të ndryshëm në stil dhe në moshë?

Shumicën e piktorëve i kam njohur edhe para se të largohesha. Idea erdhi nga një model i ndjekur i shtëpisë botuese “Onufri”. Bashkimi i shumë piktorëve për të promovuar artin në trevat shqiptare ishte një eksperiencë e veçantë për mua dhe më lindi idea të realizoja një ekspozitë të përbashkët. Shumica i njoha në koloninë e piktorëve. Një pjesë edhe i kam parë në studiot e tyre. Mu desh vetëm koha e organizimit dhe ekspozita ishte gati. Nuk them se më është dashur dy vjet kohë por një periudhë kohe e konsiderueshme nga njohja e deri në përzgjedhjen e punimeve që do të prezantoheshin në galeri.

Mendoj se më ka ndihmuar shumë fakti se nuk kam qenë pjesë e jetës artistike në Shqipëri për shumë vite për të krijuar këtë bashkim stilesh të ndryshme, individualitetesh dhe moshash.

Ju keni qëndruar për 8 vjet në Gjermani. Çfarë ndryshimi ka midis një piktori gjerman dhe një shqiptari?

Shqipëria, pra shkolla e artit në Shqipëri dhe ajo në perëndim kanë ndryshime të mëdha. Nuk është e lehtë të përballesh në arenën ndërkombëtare. Për shkak të pak viteve demokraci ka hapa e shembuj pozitiv pa dyshim, por ka dallim  të të menduarit. Ka dallim në strukturën e të menduarit përballë artit bashkëkohor dhe kjo vihet re ndjeshëm.

Ku e gjen piktori frymëzimin e tij?

Artisti frymëzimin e merr në mënyra të ndryshme. Ka artistë gjermanë që pikturojnë vetëm konflikte. Largoheshin në Izrael apo vende të tjera dhe pikturonin konfliktin parë nga afër dhe ishin të suksesshëm. Ka edhe nga ata që i pëlqejnë të dalin në natyrë që ngacmon krijimtarinë.  Nuk po them të kopjojmë natyrën por të marrim  nga ajo inspirimin. Për mua është vërtet një frymëzim pasi duke qenë se kam jetuar në Gjermani nuk është se kam shkelur shumë territorin e Shqipërisë. Ekspedita në natyrë është një ritëm për piktorin që del mbledh nektarin dhe mund t’a zhfrytëzojë në vazhdim për veprat e tij.

Si i përzgjodhët pikturat e ekspozitës?

Në ekspozitë kam marrë piktorë, që artin e tyre e sjellin si diçka konceptuale jo një imitim natyre por një interpretim të shpirtit të tyre artistik.  Kam edhe piktorë që më pëlqejnë se si i ballancojnë ngjyrat e format. Gjendem mirë me pikturat e këtyre autorëve në galeri. Sigurisht që ka pasur një diskutim në raport kolegësh por ky është një qëndrim serioz që identifikon çdo autor me botën dhe artin e tij.

Ju studimet për pikturë i keni përfunduar në Shqipëri?

 Jam shkolluar në liceun e Shkodrës dhe një vit atë të Tiranës. kam konkuruar tre vjet për pikturë dhe nuk mu dha mundësia të vazhdoja. Pas ardhjes së demokracisë filloj studimet në akademi. Lë studimet përgjysëm dhe largohem për në Gjermani. Atje përfundova një kurs interior dezajner. U ktheva në Shqipëri dhe përfundova studimet e më pas masterin në vitin 2012. Kam pikturuar gjatë gjithë kohës me luhatje.

Jeni shumë aktiv në ekspozita?

Në galerinë e Akademisë së Arteve kam hapur në 2012 që është titulluar “Colors 1” për të vazhduar më pas me “Colors 2”. Kam marrë pjesë në ekspozitën “Vlora në telajo”, kam hapur disa ekspozita të miat. Pra kam një aktivitet të ngjeshur të ekspozimit të pikturave dhe prej pak kohësh kam hapur edhe galerinë time ku edhe është vendosur ekspozita “Së bashku”.

Ju përfaqësoheni në  këtë ekspozitë me një pikturë të veçantë po nga kryeqyteti. Si e shikoni Tiranën?

Kam një histori të bukur me Tiranën. Më duket ndonjëherë interesante, ndonjëherë kaos. Më bën përshtypje shpesh dhe kam një cikël punimesh që do t’i quaja “realizmi kapitalist”. Përfaqësimi në këtë ekspozitë ka të bëjë me impresionin tim të parë. Pak kthimit më ka bërë përshtypje një godinë tek  ish instituti bujqësor. Më bëri përshtypje një pallat dhe e solla në një pikturë. Po kështu kam punime të tjera për kryeqytetin si “Tirana bardh e zi”, duke e parë nga sipër dhe e kam realizuar në bardh e zi pasi ndonjëherë jemi të shtërnguar të jetojmë në këtë qytet edhe pse nuk duam. Kam edhe të tjera punime siç janë betonizimet në Dajt. Ka pasur një përiudhë kur kam pikturuar kaosin dhe format e deformuara, të cilat më kanë bërë përshtypje dhe i kam sjellë në mënyrën më të dhimbshme.

Jetoni me artin tuaj?

Nuk e kam bazën e jetesës sime tek arti por edhe të shes një pikturë sa një palë këpucë, nuk ia vlen.

Unë merrem me interior design dhe piktura sigurisht që është pasioni im. Unë jam që piktori të vlerësohet, dhe të mos shitet lirë. Vetëm një telajo e mirë mund të kushtojë 20-30 mijë lekë. Në Shqipëri nuk vlerësohet arti. Nga piktorët që njoh, ka që shprehen që jetojnë me pikturën por unë të paktën nuk e kam menduar të jetoj nëpërmjet këtij arti.

Thatë se në Shqipëri nuk vlerësohet arti por ne kemi Kryeministrin që pikturon dhe madje ka piktura mjaft të vlerësuara edhe në vlerë monetare…

Nuk është se e njoh shumë artin e Kryeministrit. Mendoj se janë skica me përmasa gjatë kohës së punës. Janë impresione, skicë ide, etyde. Tonalitetet janë të forta me ngjyra që kanë forcë por kam parë shumë pak. Nuk mund ta komentoj më shumë pikturën por çmimi  shitjes më pëlqen. 1500 euro për një pikturë më pëlqen shumë. (qesh).

Ju thoni se arti në Shqipëri është  jo formal?

Në Shqipëri shitet arti pa asnjë taksë. Të gjithë piktorët shqiptarë kanë shitur veprat dhe nuk i kanë paguar asgjë shtetit. As koleksionistët nuk paguajnë asgjë nëse shesin një objekt apo vepër. Në vendet e tjera janë galeritë që menaxhojnë pikturat jo vetë artistët. Galeria paguan taksa, çertifikon piktura, pra ka një treg të formalizuar të pikturës ndërkohë në Shqipëri jemi ende larg.

Keni projekte të afërta?

Kam në projekt një ekspozitë interesante. Do jetë më e koncentruar dhe më konceptuale. Do të jenë në formatet e mëdha pikturash edhe pse këtu në Shqipëri kam parë që nuk i preferojnë shumë formatet e mëdha. Nuk dua të zbuloj më tepër. Shihemi së shpejti….