26 Korrik 2026

Qytetarët u mblodhën përpara Kryeministrisë në ditën e 57-të të revoltës së tyre ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Ata iu përgjigjen kryeministrit edhe për dokumentin e tij që nxori, të titulluar “Besa”.

Ndërsa artikuluan problemet me të cilat përballen, qytetarët ritheksuan se ata nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre e panegociuesshme: dorëheqja e Ramës. Po ashtu, ata ritheksuan edhe kërkesën për largimin e kryedemokratit Sali Berisha, duke i akuzuar se veprojnë me njëri-tjetrin kundër shqiptarëve.

Qytetarët, po ashtu, i dhanë sërish një përgjigje kryeministrit se nuk ka lidhje bese me të, duke e cilësuar si të pabesë. Ata deklaruan se ia dhanë njëherë besën 13 vite më parë ndërsa tanimë e kanë shpallur “non grata”.

“Ne do të të japim besën se nuk kemi me ik prej sheshi derisa të të largojmë ty.“, tha një protestues përpara qytetarëve të mbledhur te Kryeministria.

Një tjetër i dha përgjigje kryeministrit edhe për sulmet ndaj protestuesve, duke i thënë se sorrat dhe korbat ndodhen në parlament.

“Thonë ikën flamengot dhe tani erdhën sorrat e korbat. Harron se sorrat e korbat i ka në parlament. Ata që vjedhin shqiptarët dhe nuk bëjnë transparencë.”, tha ai.

Nuk munguan as thirrjet për SPAK që të veprojë me arrestimin e kryeministrit si dhe të ish vartëses së tij, Belinda Balluku.

Një mesazh pati edhe për faktorin ndërkombëtar, duke thënë se heshtja e tyre konsiderohet bashkëfajësi. Protestuesi që artikuloi mesazhin për aleatët deklaroi se partneriteti i vërtetë ndodhet në shesh.

“Zotërinj diplomatë, nëse heshtni jeni bashkëfajtorë. Nëse na konsideroni partnerë, partnerin e vetëm e keni në shesh jo në zyra.”, tha ai.

Protestuesit, sikurse ditët e tjera, edhe sot  “folën” gjithashtu përmes pankartave.

WhatsApp Image 2026-07-26 at 19.30.01

WhatsApp Image 2026-07-26 at 19.30.00

WhatsApp Image 2026-07-26 at 19.30.01