Viola von Cramon Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian

“…Ndoshta është vetëm një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Rusisë ditën e sotme (24 shtator). Von Cramon përmes një postim në Twitter tha se është një skandal i rëndë. Ajo shtoi se kjo marrëveshje ndoshta është një sinjal që të ngrihen bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin e bashkëpunimit të ardhshëm me agresorin rus. Apo ndoshta është vetëm një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, tha ajo.

Lidhur me këtë reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përveç që nuk njeh shtetin e Kosovës dhe krimet e bëra nga regjimi i Millosheviçit, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç ishte edhe marrëveshja e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, e cila duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.

Në saj të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.

Gazeta Sot