Gladiola Caka, Muzeu Etnografik Berat

Muzeu Etnografik  i Beratit: Dokumentimi i artefakteve është pjesë e rëndësishme

24 DHJETOR 2021

Muzeu Etnografik në Berat ndodhet në zonën e mbrojtur shumë pranë qendrës historike (lagjeve Mangalem, Kala). Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se përgjatë një viti në këtë muze për çdo artefakt është bërë kartelizimi. “Hulumtimi e dokumentimi shkencor i artefakteve është pjesë e rëndësishme e misionit të muzeut.

Përgjatë një viti në muzeun Etnografik Berat krahas kartelës fizike, për çdo artefakt të fondit të muzeut u bë kartelizimi, përditësimi e pasurimi i kartelave elektronike sipas një formati të ritë miratuar nga IKRTK, gjë që do të vazhdojë në mënyrë permanente edhe në vitin 2022”, thuhet nga QKMB, që ka publikuar dhe foto gjatë punës. Muzeu është përshtatur në vitin 1979 në një banesë tradicionale të qytetit, me dy kate me çardak në një krah, ndërtuar në fillim të shek XVIII.

Vëmendje kryesore në këtë banese i kushtohet mjediseve të hapura të hajatit që zë tërësisht katin përdhes dhe çardakut në katin e sipërm i cili komunikon me të gjitha dhomat, që shërbenin për të qëndruar, punuar, gatim, ngrënie, fjetje.

Muzeu Etnografik ka një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, është dëshmi e rëndësishme e kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Beratit. Në katin përdhes një rrugicë e improvizuar e pazarit mesjetar, paraqet nëpërmjet objekteve të ekspozuar zeje përfaqësuese dhe më të zhvilluara të trevës; qëndistarinë, argjendarinë, punimin e bakrit dhe veshje e zbukurime që flasin për nivelin aristokratik të jetës së shtresave të mesme e të pasura qytetare. Në pjesën e hapur të hajatit janë prezantuar zeje që ushtroheshin në kushtet e shtëpisë për nevoja familjare. Hajati lidhet në mënyrë të natyrshme me pusin dhe oborrin ku janë të ekspozuar objekte gurgdhendjeje dhe qeramike. Në katin e sipërm në mjediset e dhomave të banesës paraqitet mënyrën e jetesës, organizimi, traditat e zakonet në një familje qytetare të pasur në mesjetën e vonë.

Muzeu Etnografik Berat

Gazeta Sot