Monument – Xhamia e Plumbit Shkodër. –

Xhamia e Plumbit ose Xhamia Mehmed Pashë Bushatlli është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Ndër veprat e shumta të ndërtuara në Shkodër nga trashëgimtarët e njëpasnjëshëm e sundimtarë të mëdhenj siç ishin Bushatllinjtë, është dhe Xhamia e Plumbit, e cila njeh si vit të ndërtimit të saj vitin 1773. Kjo vërtetohet edhe me shqipërimin e shkrimit të gdhendur në pllakën e vendosur mbi derën kryesore të kësaj xhamie, ku thuhet:”Viti 1187 Hixhri është data e ndërtimit të xhamisë së madhërishme prej Mehmet Pashës, zot i bamirësive.” Dhe më poshtë: “Viti 1280 është data e riparimit të xhamisë prej kujdestarit të saj Mahmut Berberi”. Respektivisht, këto dy data të kalendarit islamik, përkojnë me vitet 1773 dhe 1863.

Ajo çka është për t’u shënuar mbi jetën e kësaj xhamie, krahas asaj se ky institucion i rrallë kulti tipik i stilit turko-arab është tregues i një stadi të lartë mirëqënieje të lagjes së vjetër Tabake në gjysmën e dytë të shekullit të 18 dhe gjatë shekullit të kaluar, është historia e dhimbshme e kubeve prej plumbi, të cilat, më se një herë u bënë objekte vjedhjesh e grabitjesh.

Kështu, menjëherë pas shpërthimit të kufijve të qytetit të vjetër drejt asaj zone ku sot shtrihet Shkodra, xhamia ra prè e individëve të ndryshëm, të cilët, për arsye tregtie, hoqën shtresat e konsiderueshme të plumbit nga kupolat e xhamisë. Megjithatë, viti 1913 e gjeti Xhaminë e Plumbit me disa shtresa plumbi të mbetura, por ushtria e Vjenës e vazhdoi edhe më tej shkretimin e objektit, duke i hequr dhe mbetjet e fundit. Është plotësisht e vërtetë se Xhamia e Plumbit është “fundosë”, veçse kjo “fundosje” – siç i thonë shkodranët – nuk ka ardhur për arsye të zhytjes së ndërtesës në thellësi shkaktuar nga paqëndrueshmëria e shtresave të dobëta me përbërje kryesisht gëlqerore. E vërteta flet me gjuhë tjetër: Ajo fushë ku kalon Drini, në kohën e ndërtimit të Xhamisë ishte shumë me e thellë nga ç’është sot. Mjafton të thuhet se Xhamia e Plumbit kishte 8 “dhëmbë” shkallë për të kuptuar se prurjet e Drinit në këtë fushë e kanë ngritur nivelin e tokës, por jo se kanë ulur atë të xhamisë, minarja e së cilës, pas riparimit të fundit rreth vitit 1920 nga Xhelal Pasha, nipi i Vezirit Plak të Bushatllinjve të Shkiodrës, u shemb prej një rrufeje në vitin 1967. Po në këtë vit, Xhamia e Plumbit u mbyll, por për çudi, ajo është ndër të paktat xhami në krejt Shqipërinë që nuk u shkatërrua nga ateizmi i çmendur komunist.

E tërë Shqipëria, por sidomos Shkodra, është dëshmitare e shkatërrimit të mjaft objekteve të kultit mysliman, mes të cilave, edhe ndërtime të jashtëzakonshme, si Xhamia e Parrucës, e Kirasit, e Selvisë, etj… Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punime; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllim t’i tregonte popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij.