16 Prill 2026

Nga: Migena Aleksi 

Lexova një shkrim mbi planet urbanistike te “Rruga e Kavajës” dhe shembjen e lagjeve të vjetra për t’u zëvendësuar me… kulla 23-katëshe.

Shkatërrimi i lagjeve tradicionale me shtëpi të ulëta dhe oborre ku unë jam rritur është një tjetër gjymtim i kujtesës urbane përballë interesit të betonit. Sa herë Tirana humbet një shtresë historie që nuk mund të rikuperohet, aq më tepër i afrohet një qyteti pa shpirt, ku çdo gjë i ngjan një qendre tregtare gjigande alla-mane.

A ka Tirana plane të detajuara vendore (PDV)? Po, ka. Por me sa shihet ato shërbejnë më shumë si “leje të paracaktuara” për ndërtuesit. Dmth në vend që plani të përshtatet me nevojat e komunitetit për hapësira të gjelbra, rrugë më të gjera, shkolla, ai përshtatet me projektin e ndërtuesit.

Pra, institucioni publik, Bashkia vepron si “noter” i dëshirave të një grushti privatësh. ​Artikulli që citova sjell fakte konkrete, dokumente dhe plane që shpesh kalojnë në heshtje në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Rezultati është që Tirana po kthehet në një koleksion kullash ku lartësia e ndërtesave rritet në përpjesëtim të zhdrejtë me cilësinë e jetës.

Një kullë 23-katëshe në një zonë që historikisht ka pasur shtëpi 1 ose 2-katëshe krijon edhe mbingarkesë të rrjetit. Uji, dritat dhe kanalizimet nuk janë projektuar për atë dendësi. Pastaj rrugët e ngushta të lagjeve të vjetra kthehen në kurthe trafiku për banorët e rinj dhe ata ekzistues.

Për të mos folur për zjarret e mundshme si ai i ditëve të fundit. Vetë drejtuesi i Përgjithshëm i MSZH-së, Arben Cara, është shprehur mbrëmë në TV se shumë pallate nuk janë të aksesueshme nga të dyja anët nga mjetet zjarrfikëse për raste emergjencash. Ligji thotë që minimalisht një objekt duhet të aksesohet nga të dyja anët nga zjarrfikësit që të marrë lejen. Cara pranoi se ka shumë objekte që mirë hapësirë publike nuk bëhet fjalë por kanë prekur edhe standardet e rrugës, që nuk lejon ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Ky është një problem i madh urbanistik.

Kullat e larta “vrasin” edhe ndriçimin natyral për ndërtesat përreth etj etj. Nuk e di nëse keni lexuar edhe për procesin e gentrifikimit, dmth nxjerrjen e banorëve origjinalë nga qendra drejt periferisë, sepse kostoja e jetesës dhe taksat rriten, ndërsa prona e tyre bëhet “pre” e zhvilluesve të mëdhenj. Kjo po bëhet normë për fat të keq.

Është e qartë që fitimi afatshkurtër i një grushti ndërtuesish po triumfon mbi mirëqenien afatgjatë të qytetarëve. Atëherë, kush po e vizaton vërtet hartën e Tiranës? Urbanistët apo llogaritë bankare të ndërtuesve?

Nga: Gazeta Dita