1 Qershor 2026

… Në vitin 2024, nuk u miratua një projekt dhe sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, nuk ekziston. 

Projekti i Zvërnecit është tema e ditës në konferencën e sotme të kryeministrit Rama, i cili mes të tjerash shprehet se do të ruhet natyra dhe se në këtë moment nuk ekziston asnjë projekt, pas refuzimit të të parit.

“Ajo që dua t’ju them si anë tjetër të medaljes, është se Pish Poroja nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet kategori e pestë, “Peizazh i mbrojtur”. Për këtë ka një vendim qeverie. Në ligjin tonë këto kategori janë të adoptuara në mënyrë të plotë.

Sa më lart shkohet drejt kategorive 1 dhe 2 aq më shumë kufizohet ndërhyrja njerëzore. Kategoria e pestë është e ndërtuar sipas natyrës së bashkëjetesës për turizëm dhe zhvillim. Është një zonë ku mund të ndërtohet. Në hartën e Europës ka jo pak laguna të ngjashme që janë destinacione të mëdha dhe ku ka aktivitet të plotë ekonomik dhe social.

Në nenin 20 të ligjit përcaktohet se kategoria 5 është një territor ku mund të ketë edhe njerëz. Ligji parashikon lejimin e zhvillimit vetëm nëse subjekti merr lejen e zhvillimit. Pish Poroja ka qenë peizash i mbrojtur dhe është i tillë. Është e vërtetë se në vitin 2024 ne kemi bërë një amendim të ligjit me një kërkesë të kryebashkiakëve dhe deputetëve për ekuilibrim mes zhvillimit dhe mbrojtjes.

Thethi është zonë e mbrojtur, si i bëhet? Legalizimet e pas diktaturës në Theth është bërë për shkak se është realitet i ditur. Pavarësisht se janë ndërtuar pa leje. Nuk po flas për ata që u dyndën të ndërtojnë në vitet e fundit. Në Vlorë nuk po ndërtohet në Vjosë, nuk ka lidhje me zonën e mbrojtur dhe aty nuk mund të bëhen dot resorte.

Investitorët pasi u paraqitën në 2023 nisën negociatat për Sazanin dhe më pas për Zvërnecin. Projekti i parë nuk u pranua. Më 10 shtator 2024 ata kanë kërkuar lejen e parë, më pas e kemi rrëzuar projektin, duke kërkuar të zvogëlohet intensiteti i ndërtimit dhe të ruhet laguna.

Në vitin 2024, nuk u miratua një projekt dhe sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, nuk ekziston. Pavarësisht atyre që ju servirin dhe nxisin ndjenjën tuaj të pastër. Pas refuzimit investitorët janë angazhuar 5 studio të nivelit botëror”, tha Rama mes të tjerash.