1 Qershor 2026

Analisti Fatos Lubonja ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për projektin në Zvërnec, duke e akuzuar se ka braktisur vizionin që dikur i bashkonte dhe se ka favorizuar interesa të lidhura me krimin e organizuar.

Duke folur në një intervistë televizive, Lubonja kujtoi marrëdhënien e hershme me Ramën, duke thënë se të dy i bashkonte një vizion i përbashkët për zhvillimin e vendit dhe të Tiranës.

Ai kundërshtoi gjithashtu deklaratën e Ramës se ai “jeton me makthin e mafies”, duke bërë dallimin mes makthit dhe frikës reale. Sipas Lubonjës, Shqipëria po përballet me një zgjerim të ndikimit të grupeve kriminale në hapësirat publike dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ky ia ka lënë terrenin krimit të organizuar. Nesër nuk do të hyjmë dot si njerëz të lirë në Zvërnec. Po zaptohet gjithçka. Prona publike po u jepet privatëve dhe klientëve të lidhur me oligarkinë kriminale dhe krimin e organizuar”, deklaroi analisti.

Fatos Lubonja: Sot ai tha që “ky më mori mua nëpër gojë atje” po, dhe tha që “Lubonja nuk është më miku im se i kthen të gjitha gjërat sipas qejfit”.
Kemi qenë miq, çfarë na bashkonte ne? Dhe nuk u ndamë as unë nga ai, as ai nga unë në kuptimin se s’isha pjesë e Partisë Socialiste ndonjehere. Ky ishte njeriu që kishte një tjetër vizion për botën dhe në qoftë se na bashkonin, na bashkonin në revistën që drejtoja unë, ky ishte anëtar bordi, ky vizioni për Tiranën, për zhvillimin e Shqipërisë midis të tjerave.
Kur u ndan nga unë shkoi tek mafia e ndërtimit sipas asaj që Meta ia ka quajtur “një pallat, një votë” për të marrë pushtetin, kupton?
Ja pra, ky është ndryshimi i vizionit që ka bërë, që ka tradhtuar, dhe kjo është çështja. Tani thotë “unë po bëj këto mrekullira dhe ky shef mafie”, sepse unë them që këto janë pastrim parash sot, apo jo? Dhe i kam parë me kohë si, si rreziqe, që tani këtu nuk është më që ka makthin e mafies se është fjalë e bukur. Akthi është kur ti nuk e sheh gjënë që të rrezikon po e imagjinon, imagjinon. Unë nuk, kam fare makthin. Unë kam frikën. Frika është tjetër. Frika është kur e sheh. Domethënë, një është të kesh frikë “se mos më ha luani”, një gjë është kur të del luani përpara. E kuptoj. Domethënë, “se mos më ha luani” është makth se mos vjen luani, kur e ke përpara luani është fakt.
Ne kemi faktin përpara. Ne kemi këtë që pamë, njeriun që u tërhoq zvarrë nga njerëzit e krimit sipas meje. Dhe u tërhoq zvarrë me një polici që nuk vepronte fare Dhe u tërhoq zvarrë edhe si një frikësim për të gjithë.
Ky ia ka lënë terrenin krimit të organizuar, terrenin shqiptar. Pra ne do të kontrollohemi nga këta njerëz, se nesër ti nuk shkon dot atje, nuk hyn dot si njeri i lirë atje, si njeri, kupton ti? Këta kanë zaptuar gjithçka, po zaptojnë gjithçka. Atë që ishte pronë publike ia ka dhënë privatëve, klientëve të vet që janë oligarkia kriminale e lidhur me krimin e organizua.