17 Prill 2026

Në veriun e largët të Perandorisë Romake, ku klima ishte e ashpër dhe mbijetesa e pasigurt, një grup ushtarësh ndiznin llamba në errësirën e një tempulli nëntokësor. Përballë tyre, fytyra e një perëndie e gdhendur në gur i shikonte.

Gati 2000 vjet më vonë, ai altar u shfaq sërish në Skoci, duke ndryshuar atë që dimë për jetën në kufijtë e Perandorisë Romake. Në vitin 2010, arkeologët në Inveresk, teksa po kontrollonin zonën për ndërtimin e një fushe kriketi, bënë një zbulim të papritur. Ata nxorën në dritë dy altarë që datojnë rreth vitit 140 pas Krishtit, kur territori u pushtua përsëri nën perandorin AntoninPiu. Një altar i ishte kushtuar perëndisë së diellit Sol, simbol i dritës, rendit dhe fuqisë kozmike; tjetri i ishte kushtuar Mitrës, një hyjni e lidhur me shpëtimin dhe mbrojtjen. Veçanërisht, kjo është prova e parë e adhurimit të kultit të Mitrës në Skoci, pika më veriore ku kishte arritur Roma.

“Në kufirin më verior, ke nevojë t’i kesh perënditë në anën tënde, sepse është një kohë dhe një zonë e pasigurt. Dhe për disa ushtarë, Mitra ishte perëndia që zgjodhën,” shpjegon Fraser Hunter, kurator i lartë i parahistorisë dhe arkeologjisë romake në Muzeun Kombëtar të Skocisë. “Kjo na bën të rimendojmë atë që mendonim se dinim për romakët në Skoci.”

Perëndia e ushtarëve: Kush ishte Mitra?

Ndryshe nga perënditë e tjera romake, kulti i Mitrës, i njohur si mitraizëm, nuk ka lënë tekste të shenjta apo shkrime. Gjithçka që dimë vjen nga tempujt dhe reliefet e gjetura në rrënoja.

Mitra e ka origjinën nga një hyjni e lashtë indo-iraniane (Mithra), e lidhur me marrëveshjet, besnikërinë dhe rendin, e cila më vonë u adoptua dhe u transformua nga romakët. Ai paraqitej shpesh si një djalë i ri që mbante një kapelë frigjiane (një kapelë e butë në formë koni, e lidhur me Lindjen e Lashtë), duke sakrifikuar një dem brenda një shpelle. Kjo skenë quhet “tauroktoni” dhe nuk paraqet një sakrificë të zakonshme. Përkundrazi, është një simbol i rilindjes dhe ekuilibrit kozmik, ku vdekja e kafshës sjell jetë të re. Për besimtarët e mitraizmit, ajo përfaqësonte luftën mes forcave të kundërta, dritës dhe errësirës, jetës dhe vdekjes, që perëndia ndihmonte t’i harmonizonte.

Image

Kulti i Mitrës ishte vetëm për burra dhe u bë veçanërisht i përhapur te ushtarët. Praktikat organizoheshin rreth riteve të iniciimit në nivele të ndryshme. Tempujt e tij, të quajtur mithraeum, shpesh ndodheshin nën tokë, duke theksuar natyrën e fshehtë të kultit.

Një tjetër figurë e zakonshme tregon Mitrën duke dalë nga një shkëmb, plotësisht i formuar, një motiv i quajtur “petra genetrix”. Kjo lindje e pazakontë, pa nevojën e një nëne, lidhet shpesh me faktin që kulti ishte vetëm për burra.

Në kufijtë e Perandorisë Romake, ku ushtarët kishin nevojë të besonin se nuk ishin vetëm, Mitra ndoshta ofronte më shumë se mbrojtje hyjnore. “Ai ofronte shpresë për të ardhmen,” thotë Hunter. “Nëse je një ushtar, fati i të cilit është në duart e perëndive, të kesh një perëndi si Mitra në anën tënde duhet të ketë qenë shumë e fuqishme.”

Altarë të pazakontë në Skoci

Altarët e gjetur në Inveresk sjellin një element tjetër të papritur për mitraizmin. Edhe pse një altar i kushtohet qartë Mitrës, reliefet e tij nuk ndjekin plotësisht figurat tipike të kultit. Në vend të skenave klasike të sakrificës së demit, ai paraqet një grifon, një krijesë mitike gjysmë luan, gjysmë shqiponjë me origjinë lindore, dhe një lirë me një pick. Këto figura zakonisht lidhen me perëndinë Apollo, një tjetër hyjni e lidhur me dritën. Altarin e zbukurojnë edhe dy korba, kafshë që shfaqen shpesh në ikonografinë e Mitrës. Ky kombinim tregon se në fazat e hershme të mitraizmit, Mitramund të ketë qenë i lidhur ose i bashkuar me perëndi të tjera.

Ndërkohë, altari tjetër i kushtuar Solit ka një efekt vizual të veçantë. Kur ndriçohej nga pas, në errësirën e tempullit, dukej sikur sytë, goja dhe rrezet e kurorës së perëndisë së diellit shkëlqenin. Skena plotësohet me figurat e katër stinëve, gra që simbolizojnë kalimin e kohës, një tjetër element i rëndësishëm në simbolikën e mitraizmit.

Të dy altarët u kushtuan nga një centurion romak (një oficer profesionist i ushtrisë), emri i të cilit shfaqet i shkurtuar si G CAS FLA. Kjo me shumë gjasë i referohet Gai Kas Flavianit, komandant i trupave në atë zonë.

Përtej Murit të Hadrianit

Zbulimi i altarëve ndihmon gjithashtu në rrëzimin e një keqkuptimi të përhapur: se Perandoria Romake nuk shkoi kurrë përtej Murit të Hadrianit, fortifikime të ndërtuara gjatë pushtimit të Britanisë në shekullin e dytë. Edhe pse ky mur konsiderohet shpesh si kufiri më verior i Romës, në fakt perandoria u shtri disa herë më në veri, deri në Skocinë qendrore.

Image

Gjatë sundimit të Antonin Piut, u ndërtua një linjë tjetër mbrojtëse, Muri Antonin, midis grykëderdhjeve të lumenjve Forth dhe Clyde. Ajo shoqërohej nga fortesa dhe vendbanime si Inveresk, që u bë një qendër e rëndësishme ushtarake dhe civile.

Pas zbulimit, altarët, të bërë nga gur ranor dhe të dëmtuar pas rreth 1800 vitesh nën tokë, u çmontuan, u trajtuan me kimikate të veçanta dhe u rindërtuan nga specialistët në Muzeun Kombëtar të Skocisë, ku do të ekspozohen për herë të parë në nëntor 2026. Të varrosur me fytyrë poshtë kur tempulli u braktis, këto objekte u mbrojtën nga moti dhe reliefet kanë ruajtur detaje shumë të qarta, madje edhe gjurmë ngjyrash.

Këta altarë zbulojnë jo vetëm praktikat fetare, por edhe jetën e përditshme në Perandorinë Romake. “Ky është një nga ato zbulime që ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë kufirin romak,” thotë Hunter.