1 Qershor 2026

Nga Adrian Thano

​A ka ndonjë qasje socialiste në vendimet, ligjet, lejet e ndërtimit që po jepen për Zvërnecin, Vlorën dhe mbarë bregdetin? Përgjigja shkurt është JO.

Shtylla e parë e socializmit është mbrojtja e pasurisë publike dhe garantimi që burimet natyrore t’i shërbejnë të gjithë shoqërisë. E dyta, për një qeveri socialiste, mbrojtja e mjedisit dhe qëndrueshmëria për brezat e ardhshëm janë prioritete po aq të mëdha sa rritja ekonomike. E treta, socializmi, në frymë kërkon konsultim dhe llogaridhënie, jo “e di unë çfarë është e mira, ju të tjerët duartrokisni”.

Në fakt, Edi Rama nuk ka patur kurrë ndonjë dashuri të madhe për doktrinat e së majtës. Sipas tij, Shqipëria nuk ka kohë të rritet ngadalë përmes politikave sociale, ajo ka nevojë për kapitale të mëdha, të shpejta, megaprojekte që duken bukur në ekrane dhe krijojnë një iluzion të “Shqipërisë moderne” përmes fasadave të resorteve luksoze.

Në këtë kuadër, logoja “Socialiste” e partisë që ai drejton është thjesht një ambalazh elektoral për të mbajtur bazën tradicionale të votuesve. Sot Shqipëria voton një parti që e quan veten socialiste, por merr një qeverisje që vetëm me socializnin apo të majtën nuk ka të bëjë.

Po a ka qenë ndonjëherë e majtë PS?

Kur Partia e Punës ndryshoi emrin në qershor 1991, asaj i duhej të mbijetonte dhe të ndryshonte lëkurë. Nën drejtimin e një grupimi me profesorë, shkrimtarë, ekonomistë, PS bëri një reformim ideologjik. ​Në këtë periudhë, ajo ishte e majtë në kuptimin tradicional, kishte ndjeshmëri përgjithësisht ndaj atyre që u goditën nga tranzicioni i viteve ’90.

Veç kësaj ishte parti me demokraci të brendshme. Kishte fraksione, debate të hapura, një strukturë kolegjiale ku kryetari mund të sfidohej. Dhe sfidohej shpesh.

Kur Edi Rama mori drejtimin e PS-së në vitin 2005, ai solli me vete frymën e një modeli “Blair”, një farë “partneriteti” mes shtetit e privatit. megjithëse në dukje, ruante dhe premtonte ende kauza të së majtës, si shëndetësia falas, etj.

​Me ardhjen në pushtet në 2013, termi Partia Socialiste u tentua edhe drejtpërdrejt të mbetej një emër zyrtar në KQZ. Projekti real u quajt “Rilindja”, një lëvizje që u zhvesh plotësisht nga idetë e majta. U kaluan shërbime jetike si shëndetësia apo infrastruktura te privati përmes PPP-ve, pastaj mbërritën “investitorët strategjikë”.

Së fundmi është vënë në darë pasuria më e madhe kombëtare që ka mbetur, bregdeti. Janë qepur ligje që favorizojnë një grusht njerëz shpesh të panjohur me kapitale të mëdha për të marrë pronat publike apo për tu pajisur me leje shtetërore mbi prona pa status të qartë. Kjo po bëhet pa asnjë lloj balance sociale apo qoftë edhe mjedisore.

Por a po ndjek Edi Rama një bindje të pastër pragmatiste (edhe pse të gabuar), apo po i shërben një skeme të pastër korrupsioni e pastrimi parash?

Në realitet, këto dy dimensione nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Ato bashkëjetojnë në një marrëdhënie simbiotike. Nuk kemi të bëjmë me një dilemë “ose-ose”, por me një sistem ku ideologjia e shartuar shërben si ambalazh për interesat financiare dhe korrupsioni shërben si motor për të realizuar “vizionin”.

Rama është një lloj misionari i fasadës. Nuk është hajduti klasik që synon të mbushë thasët me para. Ai udhëhiqet nga një lloj estetizmi politik dhe ka një ego e madhe historike. Dëshiron të lërë gjurmë fizike, kulla të larta, resorte luksoze, qendra urbane të kopsitura që duken mirë në revistat ndërkombëtare të arkitekturës.

Për të realizuar këtë “mision”, ai ka krijuar bindjen cinike se Shqipëria nuk bëhet me kapital të vogël apo me bujqësi e fabrika vendase. Madje nuk bëhet as me shqiptarë. Shqipëria bëhet duke u kthyer në njëfarë Monako-je të Ballkanit apo diçka e tillë.

​Këtu hyn mashtrimi ideologjik. Ai përdor herë batuta, herë gjuhën e zhvillimit modern për të justifikuar shkatërrimin e zonave të mbrojtura apo trashëgimisë historike. Ligji, transparenca, procedurat janë bërë tani “pengesa burokratike” që i kanë zënë rrugën vizionit të tij estetik.

Duhet patur parasysh që ky vizion nuk mund të ndërtohet në vakum. Ai kërkon miliarda euro. Nga vijnë këto para në një nga vendet që në letra figuron nga më të varfrit e Europës?

Këtu roli i korrupsionit dhe i pastrimit të parave me burime të dyshimta, përfshirë ato të narkotrafikut apo kapitaleve offshore bëhet vendimtar. Modeli ka nevojë për një rrjet apo kartel investitorësh që janë gati të hedhin miliarda në këmbim të ligjeve të qepura me porosi, plazheve falas, taksave zero, etj

Sot Edi Rama ofron për ta licencën politike, ligjore dhe estetike. Ata bëjnë pjesën tjetër përfshirë “zgjidhjet” për tensionet në terren. Simbioza prodhon financimin edhe të makinerisë elektorale që Rama mendon se i garanton pushtetin e përjetshëm.

Të thuash që është vetëm një mashtrues ideologjik është naive, sepse injoron miliardat që ndërrojnë duart në dëm të interesit publik. Por edhe të thuash që është i korruptuari ordiner është sërish e paplotë.

Ai e beson realisht që ky shkatërrim “estetik” është rruga e vetme për ta futur Shqipërinë në hartën e botës. Është një pragmatist i cekët që po e përdor korrupsionin si mjetin kryesor për të ndërtuar pushtetin dhe vizionin e tij personal.