1 Qershor 2026

Nga Bojken Sinaj

Ndoshta nuk është rastësi që muralet e sindikalistit dhe ambientalistit brazilian Chico Mendes (i ekzekutuar në fund të viteve ’80 nga interesat e mëdha të korporatave shumëkombëshe të blegtorisë që po shpyllëzonin Amazonën për më shumë tokë e fitim) gjenden në fasadat e ish fabrikës së Sodës, në rrugën mes Vlorës dhe Zvërnecit.

Chico Mendes ishte i bindur se ambientalizmi, pa luftë klasore, është kopshtari.

Po aty ndodhet edhe murali i Prof.Lekë Gjiknurit, autorit të artikullit të parë mbi mbrojtjen e mjedisit në Kushtetutën e Shqipërisë. Edhe kjo ndoshta nuk është rastësi.

Ajo që po ndodh sot në Nartë e Zvërnec nuk është vetëm çështje mjedisi, por pushteti, klase, territori dhe dinjiteti.
Vlora nuk e ka pranuar kurrë lehtë nënshtrimin. Është qytet kryengritës, me kujtesë historike, me lidhje të fortë me detin, punën dhe idenë e lirisë. Prandaj ajo që po ndodh sot aty ka një domethënie edhe më të rëndë.

Dhe përgjigjja cinike e pushtetit se “është pronë private”, tregon pikërisht thelbin e problemit. Nuk ka rëndësi vetëm kujt i përket formalisht toka, sidomos kur shpesh bëhet fjalë për figura të lidhura me oligarkinë, klientelizmin dhe tranzicionin grabitqar shqiptar.

Problemi është vetë ideologjia që e trajton territorin, natyrën, qytetin dhe historinë si mall tregu.

Kjo është logjika neoliberale që ka dominuar tranzicionin shqiptar ku çdo gjë privatizohet, çdo gjë shitet, çdo gjë kthehet në resort, kullë, koncesion apo instrument fitimi. Publikja shihet si pengesë, komuniteti si bezdi, historia si diçka pa vlerë ekonomike.

Në Shqipëri kjo ideologji ka marrë formën e saj më agresive me turistifikim e neveritshëm, betonizim, shpopullim, dekombëtarizim estetik e kulturor dhe glorifikim të luksit bosh si model shoqëror.

Nga ana tjetër, oligarkia dhe interesat e errëta riciklohen e legjitimohen vazhdimisht brenda sistemit, ndërsa varfëria trajtohet gjithnjë e më shumë si problem i vetë të varfërve. Të fortët bëhen partnerë strategjikë; njerëzit e zakonshëm trajtohen si pengesë.

Ndërkohë, qeveria mbështet politikisht Izraelin edhe gjenocidin në Gaza, financon kompani izraeliane të sigurisë dhe survejimit, dhe pranon projektin racist të Melonit për emigrantët (duke harruar vuajtjet e diasporës sonë në emigrim), duke e kthyer Shqipërinë në periferi të bindur të Europës më reaksionare.

Besoj se ka ardhur koha të ndalet kjo doktrinë e kapitalizmit-kitsch, e bazuar mbi një përzierje betoni, propagande, autoritarizmi, privatizimi total dhe shkatërrimi social, ku gjithçka ka çmim dhe shumë pak gjëra kanë më vlerë.

Kjo nuk ka të bëjë me demokracinë. Ky është menaxhim neoliberal i rrënimit dhe receta është e njohur tashmë: servilë me të fortët, të egër me të dobëtit.

Botuar në DITA

Muralet e Chico Mendes dhe Lekë Gjiknurit (bashkëlidhur) erdhën si rezultat i një prej projekteve mjedisore ku autori është angazhuar, pas konsultimeve dhe bashkëveprimit me komunitetet vendase në Vlorë.