Thellohet afera “KAYO”, ja ortakëria e Ardi Veliut me pronarin e GUNA TACTICAL, si i fali kur ishte drejtor policie…

16 Prill 2026
Pas publikimit të një dite më parë nga Gazeta “SOT” mbi skemën e re të funksionimit të industrisë ushtarake përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe rrjetit të saj të partneriteteve, detaje të reja hedhin dritë mbi lidhjet dhe përfitimet që fshihen pas këtij modeli. Në vijim të këtij investigimi, zbulohet një tjetër hallkë e rëndësishme e kësaj afere, që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet mes Ardi Veliu dhe biznesmenit Emiljano Dusha, sot një nga përfituesit kryesorë në strukturat e reja të krijuara rreth KAYO-s.
Artikulli i sotëm ndalet konkretisht te një rast i mëparshëm, që sipas të dhënave të siguruara, lidhet me kontratat për furnizimin me armë gjatë kohës kur Veliu drejtonte Policinë e Shtetit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e dhënies së tenderave dhe rolin që këto marrëdhënie kanë luajtur në ndërtimin e skemës aktuale. Në fokus është një kontratë për blerjen e pistoletave, me vlerë miliona euro, e realizuar përmes negocimit të drejtpërdrejtë dhe pa garë të hapur.
Kush është Emiljano Dusha?
Emiljano Dusha, biznesmeni i lidhur prej vitesh me tendera të Ministrisë së Brendshme dhe me padi në SPAK për blerje votash për mazhorancën aktuale, ka marrë pozicion dominues në kompanitë e krijuara rishtazi rreth shoqërisë shtetërore KAYO sh.a. Tre kompani të reja, TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL, janë regjistruar vetëm në tri ditët e para të muajit gusht 2025, të gjitha me KAYO-n si shoqëri mëmë. Dusha kontrollon dy prej tyre. Modelet e krijuara shmangin Ligjin për Prokurimin Publik. Duke i klasifikuar kontratat si strategjike ose “sekret”, fondet kalojnë te këto kompani pa asnjë garë reale me prodhues të tjerë ndërkombëtarë që mund të ofrojnë çmime më të ulëta.
Skandali
Pavarësisht ambicies dhe proklamimit të bujshëm që kryeministri Edi Rama i ka bërë “KAYO”, si një shoqëri e cila në bashkëpunim me kompani prestigjioze në botë do të prodhojë dronët e parë Made in Albania, se më në fund ushtarakët, policët dhe forcat e tjera të Sigurisë, do të kenë veshje dhe pajisje cilësore dhe dinjitoze si homologët në NATO dhe BE, puna e parë që ka bërë administratori i saj, Ardi Veliu, ka qenë krijimi i disa kompanive- ombrella, për të vazhduar aferat e vjetra korruptive me të njëjtët klientë, por këtë herë pa tenderime dhe prokurime publike.
Pra krijimin e një monopoli, privat-shtet, në këtë fushë. Subjekti “M.K.D.” me NUIS “M52008029J” është themeluar si shoqëri aksionere, në datën 01.08.2025, me objekt aktiviteti, prodhimin apo tregtimin e armëve dhe municioneve për forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturat e tjera të Sigurisë. “M.K.D” ka si ortakë aksionerë: 20 % kompaninë shtetërore, “KAYO” me NUIS “M42216020F”, me administrator Z. Ardi Veliu dhe 80% kompaninë private shqiptare, “MSSC (MILITARY SYSTEM SUPPLY COMPANY)” me NUIS “L01306040L”, me pronar të vetëm Z. Emiljano Dusha.
Duke ju referuar të dhënave për transaksionet e Thesarit të Shtetit në ëebsite-in Open Spending Albania, kompania “MSSC (MILITARY SYSTEM SUPPLY COMPANY)” është një përfituese shumëvjeçare e fondeve të buxhetit të shtetit shqiptar. Kjo kompani është furnizuese e rregullt me armë dhe municione për forcat e armatosura dhe të sigurisë. Kontratat e furnizimit që kjo kompani ka bërë me strukturat ushtarake dhe të sigurisë kanë qenë me vlera të negociuara në mënyre të drejtpërdrejtë dhe pa procedura tenderimi. Vlera e kontratave të realizuara nga kjo kompani, vetëm në harkun kohor, 2018-2025, është 5’929’396’039 Leke të reja, apo rreth 59’000’000 Euro.
Gjatë periudhës, Tetor-Dhjetor 2024, (Ministria e Mbrojtjes është pronare e KAYO), nga strukturat e kësaj ministrie janë realizuar 7 (shtatë) kontrata me negocim me kompaninë “MSSC”, me një vlerë prej 577’567’186 Lekë të reja, apo rreth 6’000’000 Euro. Gjatë periudhës, Korrik 2018- Dhjetor 2020, kur administrator aktual i kompanisë “KAYO”, Z. Ardi Veliu ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nga strukturat e kësaj policie janë realizuar 9 (nëntë) kontrata me negocim me kompaninë “MSSC”, me një vlerë prej 309’254’013 Lekë të reja, apo rreth 3’000’000 Euro.
Detajet nga tenderi
Ekziston një mospërputhje e madhe midis çmimit me të cilin shteti ka blerë pistoletat përmes kompanisë MSSC të Emiljano Dushës dhe çmimit të tyre real në tregun ndërkombëtar. Çmimi i Blerjes nga Shteti: Në tenderat e fundit (2024-2025) për pistoletat e tipit Glock ose Sig Sauer, llogaritet se shteti shqiptar ka paguar mesatarisht nga 1,100 deri në 1,400 euro për njësi (duke përfshirë aksesorët bazë dhe paketimin).
Në një nga tenderat e lakuar me vlerë 1.7 milionë euro, çmimi për një pistoletë rezultonte pothuajse dyfishi i kostos së zakonshme të furnizimit për forcat e rendit. Çmimi në Tregun Ndërkombëtar (për blerje masive): Për kontrata shtetërore me shumicë (për ushtri ose polici), çmimi i një pistoletë Glock 17/19 Gen 5 zakonisht varion nga 400 deri në 550 euro. Edhe për individët në tregun civil (p.sh. në SHBA ose Europë), këto pistoleta kushtojnë rreth 600-700 euro.
Fryrja e Kostove
Diferenca prej 500-700 euro për pistoletë cilësohet si fitim i pastër i pajustifikuar për ndërmjetësin (MSSC). Duke qenë se kontratat janë bërë me negocim të drejtpërdrejtë (pa garë), kompania nuk ka pasur presion për të ulur çmimin, duke i shitur shtetit armë me çmime “pakicë” ose mbi to, ndërkohë që furnizimi është “shumicë”.
Në padinë e dorëzuar në SPAK, theksohet se vetëm nga një kontratë pistoletash, dëmi i pretenduar ekonomik për buxhetin e shtetit mund të kalojë 1 milion euro, pikërisht për shkak të këtij margjini të lartë fitimi që i është lënë Emiljano Dushës.
Gazeta SOT do të vijojë në ditët në vijim me publikimin e detajeve të reja, dokumenteve dhe lidhjeve të tjera që, sipas burimeve, pritet të thellojnë më tej këtë çështje dhe të zbulojnë aktorë të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Nga: Gazeta Sot
