Më shumë vota se votues, Rilindja manipulon zgjedhjet edhe kur garon me veten. 

1 korrik, 2019

Fill pas votimeve moniste të ditës së djeshme, nuk kanë të ndalur skandalet me procesin “zgjedhor”.

Fillimisht, ishte KQZ-ja,  që doli me një deklaratë për pjesëmarrjen, në orët e vona të natës, duke shpallur një pjesëmarrje prej 21.6%. Menjëherë Partia Demokratike, e konsideroi këtë një manipulim duke deklaruar se në zgjedhje kanë marrë pjesë vetëm 15% e votuesve.

Por, problemet me këto votime nuk përfundojnë këtu.

Përgjatë ditës së sotme, janë zbuluar disa probleme serioze në rakordimin mes numrit të votave të hedhura në kuti dhe personave që kanë votuar, sipas shifrave të publikuara nga vetë KQZ.

Konkretisht, në Bashkinë e Urës Vajgurore, u shpall fituese kandidatja e PS-së, Juliana Mema, me 7,666 vota. Por, KQZ deklaroi mbrëmjen e djeshme se pjesëmarrja në votime ishte vetëm 5900 persona. Pra, për 1776 vota, nuk ka votues.

Skandali tjetër  ka ndodhur në Divjakë. Kandidati i PS-së, Fredi Kokoneshi është shpallur fitues me 13513 vota, por KQZ ditën e djeshme ka deklaruar një pjesëmarrje në votime prej 13000 persona. Pra, ka një diferencë prej 513 votave, të cilat sipas KQZ nuk ka asnjë mundësi t’i kenë hedhur në kuti qytetarët. Atëherë kush i ka mbushur këto kuti?

Në Lushnje, kandidati socialist ka marrë 28086 vota, ndërkohë që sipas KQZ kanë votuar vetëm 27242. Diferenca prej 844, duket se ka rënë nga qielli…

E njëjta gjë ka ndodhur në Vorë. Kandidati i PS-së Agim Kajmaku, ka fituar 6208 vota, edhe pse sipas KQZ kanë votuar vetëm 6120 persona. Pra, 88 vota nuk kanë votues.

Edhe në Bashkinë e Maliqit është vërejtur e njëjta skemë. Kandidati i Ps-së, Gëzim Topçiu ka marrë 13272 vota (ende pa mbaruar numërimi, ka edhe tre kuti për t’u numeëruar), ndërkohë që KQZ ka raportuar vetëm 12005 votues. Diferenca e madhe prej 1267 votash, deri në këto momente,  është e pakuptueshme.

Kjo manipulim, i ekzekutuar nga i gjithë mekanizmi i Rilindjes, pavarësisht se nuk kishte kundërshtarë, do i ngjallte neveri edhe diktatorit Kim Yong Un të Koresë së Veriut. Por, parodia nuk përfundon këtu.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, me katër anëtarë socialistë, doli menjëherë para mediave për të prodhur alibinë për pushtetin. Zëdhënësja e KQZ-së, tha se pjesëmarrja e deklaruar mbrëmë, ishte marrë në rrugë operative. Pra, KQZ është e gatshme të pranojë se ka gabuar me pjesëmarrjen, se sa të lejojë që Rilindja të ekspozohet si një organizatë që manipulon votimet, edhe kur nuk ka opozitën përballë.

Edi Rama

Për të gjithë kritikët e opozitës, që e kanë konsideruar lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve, një hap të gabuar dhe kundër demokracisë, kjo është prova më e qartë, se opozita nuk mund të fitojë kurrë asnjë palë zgjedhje, kur përballë ka një parti e cila është gati të manipulojë edhe vetëveten.

/TPZ.al/