Lubonja i ashpër me Ramën dhe Marta Kos për median e madhe sllovene: Zyrtarja e BE nuk dëgjon protestuesit. ‘Flamingot’ i rrëzuan fasadën kryeministrit!

27 Korrik 2026
Gazeta më e madhe sllovene Delo, i ka kushtuar një shkrim të gjatë rrënimit të demokracisë në Shqipëri dhe rolit që Edi Rama ka luajtur në këtë proces. Pikërisht për të përshkruar këtë trajektore, ku një peshë të madhe ka pastrimi i parave të krimit në industrinë ndërtimit, ajo i është drejtuar Fatos Lubonjës duke e portretizuar si “një i burgosur gjatë epokës komuniste, që di ta njohë një autokrat kur i del përpara”. Gazeta nënvizon se sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2024, sektori i ndërtimit përbënte 13.8 për qind të vlerës bruto të shtuar të Shqipërisë, që është më e larta në Evropë dhe më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 5.5 për qind.
Por në artikull i kushtohet një vend i rëndësishëm edhe elitës burokratike evropiane që e ka pranuar si histori si suksesi këtë dështim demokratik. Ai titullohet: “Revolucioni Flamingo po hedh poshtë imazhin e përparimit të një vendi pro-evropian”.
Pikërisht këtu ka këmbëngulur më shumë Lubonja duke goditur dhe rolin e komisioneres sllovene Marta Kos.
Shkrimi i plotë
Ne i kërkuam Fatos Lubonjës, shkrimtar, redaktor, aktivist i të drejtave të njeriut dhe ish-i burgosur politik se cilët janë mesazhet kryesore që Europa duhet të marrë nga protestat masive. Ai shpjegoi se këto protesta janë një revoltë e njerëzve që sistemi grabitqar politik dhe ekonomik i ndërtuar në Shqipëri gjatë 35 viteve të fundit i ka çuar ata në ekstremin ku nuk mban më.
“Një sistem që, duke i përjashtuar ata nga vendimmarrja demokratike – veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit – dhe duke i privuar nga prona e tyre publike dhe private, i ka çuar deri në pikën e mbetjes pa dinjitet dhe pa të ardhme. Ata e quajnë protestën ‘revolucioni i flamingove’ sepse, ashtu si flamingot, edhe ata ndihen të dëbuar nga habitati i tyre nga ky lloj zhvillimi që privatizon burimet publike, pejsazhet, bregun detar, parqet, kopshtet e lojërave për fëmijë e kështu me radhë,” shpjegon Lubonja.
“Mesazhi që ‘flamingot’ po i dërgojnë BE-së është se rruga e Shqipërisë drejt BE-së prej kohësh ecën në dy shina: njëra në letër dhe tjetra në realitet, dhe se hendeku mes tyre nuk është ngushtuar (siç pretendojnë apo promovojnë shumë syresh), por është zgjeruar. Slogane si ‘Shqipëria e Re’ dhe ‘Shqipëria nuk është në shitje’ janë dëshmi e kësaj.”
Pa mbështetjen e Perëndimit, Rama do të ishte rrëzuar tashmë
Qeveria e Kryeministrit Rama është dukur vazhdimisht e fortë dhe bindëse në përpjekjet e saj për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Së bashku me Malin e Zi, ky vend konsiderohet nxënësi më i përkushtuar i Evropës dhe se ka bërë përparimin më të madh drejt anëtarësimit në BE nga të gjitha vendet kandidate ballkanike. Por çfarë fshihet pas kësaj pamjeje, që në një vështrim të parë duket rozë?
Lubonja përshkruan katër shtylla mbi të cilat qëndron pushteti i Ramës: e para fuqia dhe paratë e oligarkëve, e dyta, krimi i organizuar; e treta mediat kryesore, të cilat ose zotërohen prej oligarkëve ose mbështeten nga anëtarë të elitave qeverisëse (prandaj një nga sloganet e protestës është ‘bojkotoni mediat’); ndërsa shtylla e katërt është mbështetja e institucioneve të BE-së dhe e disa udhëheqësve perëndimorë. Ndërsa tre shtyllat e para janë të kuptueshme, e katërta duket paradoksale në Shqipëri.
“Shqiptarët vazhdojnë të pyesin veten: pse, pavarësisht të gjitha këtyre protestave, Perëndimi nuk e sheh – ose refuzon ta shohë – se Shqipëria është bërë një narkoshtet? Pse heshtin ata, ose pse disa, si Emmanuel Macron apo Marta Kos, e mbështesin Ramën? Ka disa arsye. Të parën, dhe më kryesoren, do të përmendja mendësinë neo-koloniale me të cilën trajtohen vende si Shqipëria ku u jepet përparësi interesave gjeostrategjike dhe ekonomike, si dhe stabilitetit të rajonit”. “Kjo mendësi bën që udhëheqës autokratë si Rama të shihen si rruga më e lehtë dhe më e shpejtë për të realizuar këto interesa”, thotë Lubonja.
Ai thekson, megjithatë, se nuk e përjashton “aftësinë” e këtyre autokratëve për të korruptuar edhe politikanë të shquar perëndimorë. ‘Fakti që, mu në mes të Revolucionit Flamingo, Emmanuel Macron hëngri drekë me Ramën në Paris dhe doli më pas krah për krah me të, dhe se François Hollande, anëtar i Parlamentit dhe ish-president, pranoi një çmim nga duart e tij, i kujtoi shqiptarëve ministren e Jashtme franceze Michèle Alliot-Marie, e cila në vitin 2011 i ofroi Ben Aliut, në Tunizi know how (ekspertizë) për rivendosjen e rendit. “Siç rezultoi më vonë, një nga arsyet e kësaj ishte korrupsioni”, thekson i intervistuari ynë.
