17 Shkurt 2024

Mendoni femrën e përkryer për shijet tuaja. Sigurisht që emrat e parë që ju vijnë ndër mend janë aktoret e Hollivudit apo modelet e kopertinave e pasarelave.

Por femra ideale e një shekulli më parë nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët me Anxhelina Zholi, Monika Beluçin, Adriana Limën apo Megan Foks.

Në vitin 1912, gruaja e përkryer në Amerikë konsiderohej Elsie Rebecca Sheel, nga Bruklin.

Me gjatësi mbi mesataren, mbi peshën që sot e konsiderojmë ideale, e apasionuar pas kopshtarisë dhe automobilëve.

Trupi i saj i bëshëm ishte garanci për shëndetin mendor e fizik në atë kohë.

Ajo është zgjedhur  mes 400 vajzave të Universitetit Cornell, nga një mjeke, e cila kishte vlerësuar formimin fizik dhe profesional të studenteve.

Gazeta “Sunday Morning Star”e quajti në atë kohë femra e përkryer.

Tashmë fotoja e saj bën xhiro në rrjet dhe është dëshmia më e mirë se sa kanë ndryshuar kriteret e bukurisë gjatë një shekulli.

Femra e përkryer për shijet e 100 viteve më parë ishte me forma të bollshme, të cilat ishin sinonim i shëndetit dhe mirëqenies.

Elsie thoshte se kujdesej për trupin e saj dhe hante më shumë biftekët.

Ishte e gjatë 1.69 dhe përmasat nga lart poshtë i kishte 86-76-100, pra shumë larg të famshmes 90-60-90 që sot konsiderohet ideale.

Gazeta thekson se përveç bukurisë së jashtme, sudentja kishte edhe personalitet të fortë. Ishte e bindur për votën e grave dhe rolin e tyre në ecjen para të shoqërisë, nuk pinte kurrë as çaj dhe as kafe, adhuronte kopshtarinë dhe studimet i përfundoi me sukses.

“Një mendje e shëndoshë në një trup të shëndoshë”, pati thënë doktoresha Parker, e cila e përzgjodhi mes 400 vajzave të tjera. Ndoshta sekreti i bukurisë së kësaj vajze të Amerikës së shekullit të kaluar ishte qetësia që e karakterizonte dhe të ndierit mirë me veten. Një leksion që nuk njeh kohë ky i fundit.