KONGRESI I BERATIT  (10 SHTATOR 1922: – SHPALLJA E AUTOQEFALISË). –

Dr. Ardit Bido

Shkëputur (pa citimet burimore) nga studimi për disertacion “Autoqefalia e Kishës Ortodokse të Shqipërisë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, 1918-1937”, Universiteti i Tiranës 2015, f. 57-61.

Fuqiplotët kishin mbërritur sipas planifikimit në Berat dhe gjithçka ishte gati që mbledhja të niste. Përfaqësuesit nga mbarë vendi kaluan në rrugicat e ngushta të lagjes Mangalem, nën hijen e kalasë qindravjeçare që mbizotëronte në kodrën përmbi, mëngjesin e së hënës, 10 shtator 1922. Punimet u çelën në një ndërtesë dykatëshe, që shërbente si Shkolla Qendrore e qytetit. Përfaqësuesi i Beratit, Perikli Kona, drejtoi komisionin për kqyrjen e plotfuqive. Anëtarët e tjerë ishin Vasil Llapushi nga Elbasani, Atë Vangjel Çamçe nga Leskoviku, Stathi Kondi nga Gjirokastra e Përmeti dhe Taqi Buda nga Shpati. Komisioni vërejti se përfaqësuesi i Shijakut dhe i Libohovës kishin plotfuqi të parregullta. Ndërkaq, përfshiu nismëtarin Kostë Paftali si përfaqësues të Dibrës, prej nga nuk ishin zgjedhur fuqiplotë. Qeveria kishte emëruar dy përfaqësues zyrtarë: Llazër Puli ishte përfaqësues i Prefekturës së Beratit dhe prokurori Harilla Theodhos përfaqësonte qeverinë. Zyrtarët frikësoheshin mos kongresi nuk shkonte sipas parashikimit, edhe pse nuk kishte mundësi që ndokush të kundërshtonte autoqefalinë.

Ajo çka brente qeverinë ishte si rrymat kishtare do të silleshin me njëra-tjetrën. Noli kishte ngadhënjyer bindshëm. Mitropolia e Korçës kishte zgjedhur vetëm fanolistë: Atë Josif Qirici dhe Dhosi Havjari nga Korça, Atë Jorgji dhe vatrani Anastas Çekrezi nga Bilishti, Oshënar Sofroni dhe Dhimitri Ndini nga Kolonja, Atë Vangjel Çamçe dhe Thomo Prifi nga Leskoviku dhe dr. Stathi Kondi dhe Vasil Zoto nga Përmeti. Fanolistët ishin përhapur edhe më tej. Krahu i djathtë i Theofanit, Vasil Marko, ishte zgjedhur fuqiplotë i Pogradecit, pjesë e Mitropolisë së Durrësit, bashkë me vatranin Thanas Kërxhalliu.

Visarion Xhuvani ndikonte mbi përfaqësuesit e pak trevave: Gjergj Manushit të Durrësit; kryebashkiakut durrsak Kostë Paftalit, bashkëfuqiplotit të Dibrës Leonidha Nishkut dhe shkodranët me prejardhje malazeze Rist Gjybabiç dhe Gjok Nikolliç. Xhuvani kishte miqësi me Taq Budën e Dhimitër Paparistën nga Shpati dhe Tol Arapin nga Vlora, edhe pse nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tyre. Fuqiploti tjetër i Vlorës, Jani Skrame, dhe përfaqësuesit e Elbasanit, Vasil Llapushi dhe Simon Shuteriqi ishin përplasur me Arkimandritin. Ata nuk do ta mbështesnin, por do të kundërshtonin edhe çdo përsiatje për shpalljen e Nolit Kryepiskop. Anëtarët e tjerë, përkatësisht të Kavajës, Tiranës, Beratit, Fierit, Lushnjës, Libohovës dhe Delvinës ishin ende pa kahje.

Mbledhja e parë përfundoi. Bisedimet do të nisnin zyrtarisht të nesërmen, më 11 shtator. Qeveria mbështeti haptazi Visar Xhuvanin, tek i cili shihte një besnik të aftë për të arritur autoqefalinë. Miqësia e Zogut me Theofanin ishte ftohur që kur Noli kishte dhënë dorëheqjen nga qeveria e Xhaferr Ypit. Mirëpo, fanolistët ishin shumicë dërrmuese në kongres. Ata kërkonin që Noli të shpallej Kryepiksop që në këtë mbledhje. Gjithsesi, zyrtarët qeveritarë ia dolën t’i bindin se ishte më e rëndësishme të arrihej autoqefalia dhe Noli mund të mënjanohej përkohësisht.

Kështu, gjuha e përbashkët u gjet në mbledhjen e dytë. Josif Qirici u zgjodh njëzëri kryetar i kongresit. Prifti i sprovuar kishte shqiptarizuar kishën në Korçë edhe në vitin 1914, edhe në vitin 1921. Ai ishte në moshë të thyer, porse atdhetar i bindur, partizan i gjuhës amtare e njëkohësisht kishte mbijetuar në Mitropolinë e Korçës, pa u dëbuar nga Gjermanosi apo Jakovi. Josifi hapi mbledhjen, duke njoftuar shkurtazi se qëllimi ishte shpallja e Kishës Autoqefale Ortodokse Kombëtare. Atë Vasil Marko shpalosi betejën për autoqefali, si domosdoshmëri kombëtare. Fjalët e tij u cilësuan nga përfaqësuesi qeveritar “aq të ëmbla dhe plot mjeshtëri e logjikë” sa që tërhoqën mbarë fuqiplotët, me përjashtim të atyre të Durrësit, Dibrës dhe Tol Arapit të Vlorës. Arkimandrit Visar Xhuvani mori menjëherë fjalën dhe shpalli autoqefalinë.

“Të gjith neve të autorizuemit Delegatët të Kongresit, Klerik e Llaik, me nji za dhe entusiazëm në emnin e të gjith klerit e të popullit orthodhokës të Shqipniës, duke u bazuar që Shqipnia u njoft prej gjith shtetevet të botës si nji shtet Independantë dhe sovran dhe mbi këtë bazë, mbas kanonevet të shenjta të kishës orthodhokse, në shtet independentë, kishë endependente e të tjera [shpallim] autoqefalin të kishës orthodhokse Kombëtare të Shqipniës edhe de fakto, se de jure ka qenë që prej ditës së shpalljes Independencës politike të shtetit shqiptar duke mbajtur lidhje spirituale dhogmatike dhe apostolike plotësisht me Mamën Kishën të Patrikanës shenjtë Ekumenike dhe me Patrikanat dhe kishat e tjera orthodokse autoqefale të botës, por administrativisht Independantë, pra, Rroftë Kisha Autoqefale”.

Vlefshmëria e autoqefalisë ishte e pakundërshtueshme, edhe pa përfaqësuesit e rregullt të Mitropolisë së Drinupojës. Fuqiplotët e trevave të tjera përbënin shtatëfishin e Qarkut Kishtar me qendër në Gjirokastër. Përligjja e vendimit u mundësua nga teologu dr. Visar Xhuvani. Ajo ishte një përqasje e pashoqe e së drejtës kishtare. Vendimi i Kongresit të Beratit njihte Kishën Ortodokse në Shqipëri autoqefale prej vitit 1912, kur u shpall pavarësia. Kjo bazohej në kanonin se një kishë e një shteti nuk mund të veprojë në një kishë tjetër dhe parimin “kishë e pavarur në shtet të pavarur”. Autoqefalia e qenë veçse u shpall në vitin 1922 dhe Patriarkana Ekumenike do ta njihte, kur t’i vinte çasti. Vështirësia kryesore ishte se nuk kishte asnjë episkop të rregullt në Shqipëri. Kisha Mëmë do të duhet t’i zgjidhte, dorëzonte dhe emëronte kryepriftërinjtë, nëse Kisha në Shqipëri do të shihej pjesë e Patriarkanës Ekumenike. Mirëpo, përqasja e Kongresit të Beratit ishte se Kisha Shqiptare ishte autoqefale prej vitit 1912. Rrjedhimisht, asnjë kishë e huaj nuk kishte të drejtë t’i zgjidhte episkopët, përfshi edhe atë të Kostandinopojës.

Arsyetimi sillte nevojën e krijimit të Këshillit të Lartë Kishtar, në bazë të parimit “kat’ikonomian”. Këshilli do të kishte vetëm një qëllim: thirrjen e katër episkopëve të rregullt për plotësimin e numrit të domosdoshëm për një kishë autoqefale. Sinodhi i krijuar prej tyre do të merrte frenat e kishës, prej atij çasti.
Visar Xhuvani i rrëfeu Atë Vasil Markut, gjatë pushimit të mbledhjes, se kishte përgatitur planin B, nëse Patriarkana nuk do të pranonte autoqefalinë. Ai kishte takuar përfaqësues të Kishës Serbe dhe kishte marrë premtimin se ajo do të dërgonte dy episkopë që më pas do të dorëzonin kryepriftërinjtë shqiptarë. Mirëpo, Patriarkana dërgoi Mitropolit Jakovin në Beograd për të biseduar me drejtuesit qeveritarë dhe kishtarë serbë, duke parandaluar zhvillimet.
Qendra e Kishës Autoqefale Shqiptare solli mjaft kundërshti. Fuqiplotë të ndryshëm sugjeruan Beratin, Tiranën, Gjirokastrën dhe Korçën. Përfundimisht, u vendos Korça, me kërkesë të Pal Xhumarit, i cili renditi veprat e shkëlqyera kombëtare kishtare të saj.

Përplasja e madhe do të lindte të nesërmen mbi anëtarët e Këshillit të Lartë Kishtar. Visari kishte krijuar pakënaqësi nga kryeneçësia e treguar në mbledhjen e parë. Ai kishte marrë përsipër të shpallte autoqefalinë dhe ishte shprehur ngado se kishte mbështetjen qeveritare për të kryesuar kishën. Fanolistët këmbëngulnin në zgjedhjen e Atë Vangjel Çamçes si kryetar të Kishës. Zyrtarët qeveritarë u shprehën fillimisht për Atë Josifin. Përzgjedhja e parapëlqyer, Arkimandrit Visari, kishte humbur përkrahjen nga fuqiplotët, edhe pse ai fajësonte prefektin dhe kryetarin e Bashkisë për këtë dështim.

Qeveria dhe fanolistët u pajtuan që Atë Vasil Marko të zgjidhej në krye të Këshillit të Lartë Kishtar. Marko nuk mund të bëhej episkop, pasi ishte i martuar, në ndryshim nga Çamçe. Kjo duhet të jetë arsyeja përse Visari pranoi kryesimin e Kishës nga Atë Vasili, në pamundësi për t’u zgjedhur vetë. Këshilli i Lartë Kishtar do të përbëhej nga nëntë anëtarë: kryetari, nga një anëtar klerik dhe nga një laik për çdo qark kishtar. Anëtarët klerikë do të luanin rolin e zëvendësmitropolitit, deri në ardhjen e episkopëve. Arkimandrit Visari u mjaftua me zgjedhjen anëtar klerik dhe zëvendësmitropolit i Durrësit. Atë Vasil Marko kërkoi zgjedhjen e Xhuvanit Mitropolit të Durrësit dhe dorëzimin e tij sapo të gjendeshin dy episkopë të tjerë, pasi u udhëzua nga qeveria.

Atë Josif Qirici u zgjodh anëtar klerik për Korçën, Atë Anastasi për Beratin, ndërsa anëtari klerik për Gjirokastrën do të zgjidhej pak ditë më vonë Atë Pano. Mësuesi Dhosi Havjari u zgjodh anëtar laik në Korçë, Stathi Kondi në Gjirokastër, Simon Shuteriqi në Durrës dhe Tol Arapi në Berat.

Kongresi hartoi statutin dhe rregulloren, nisur nga skica të paraqitura nga Arkimandrit Visari. Statuti u miratua më 17 shtator. Ai përcaktonte se Kisha Orthodokse Autoqefale Kombëtare e Shqipërisë ishte e pandarë nga Kisha e Përgjithshme Apostolike Ortodokse. Ajo përbëhej nga ortodoksët e shtetit shqiptar dhe sundohej nga episkopët e rregullt dhe Gojëdhënat e Shenjta. Kisha drejtohej nga Mitropoliti dhe ndahej në pesë episkopata, të drejtuara nga episkopë. Ata përbënin Sinodhin e Shenjtë, që qëndronte në kryeqytet. Kisha do të drejtohej nga Këshilli i Lartë, derisa të zgjidheshin kryepriftërinjtë. Këshilli i Lartë detyrohej të sillte së paku dy episkopë shqiptarë nga Patriarkana Ekumenike ose kisha të tjera brenda dy viteve. Po ashtu, ngarkohej të niste bisedimet me to për njohjen zyrtare. Episkopët që do të vinin do të ishin ipso jure anëtarë të Këshillit të Lartë duke u betuar me ndërgjegje kryepriftërore para Perëndisë për besnikëri ndaj shtetit dhe Kishës.

Statuti përcaktonte që gjuha e kishës ishte shqipja. Mirëpo, vazhdimi i meshimit në gjuhët e deriatëhershme lejohej përkohësisht, duke qenë se mungonin përkthimet dhe disa priftërinj nuk ishin të stërvitur me gjuhën kishtare shqipe. Paqësorët, Ungjilli dhe Ati Ynë do të meshoheshin detyrimisht në shqip, me aq sa ishte e mundur. Këshilli Kishtar do të njihte librat shqip të përdorur deri atëherë dhe do të botonte libra të rinj. Pika 11 përcaktonte se episkopatat e shtetit shqiptar do të bashkoheshin me trevat e episkopatave, qendrat e të cilave kishin mbetur jashtë Shqipërisë. Kjo solli që një pjesë e Kolonjës dhe një pjesë e Devollit që ishin pjesë të Mitropolisë së Velës të bashkoheshin me Korçën; ndërsa Shkodra dhe Dibra të bashkoheshin me Durrësin. Neni i fundit i statutit caktonte se të gjitha nenet, përveç 1 dhe 11, do të ishin në fuqi derisa të krijohej Sinodhi Episkopal, i përbërë prej katër episkopësh. Një Asamble Kishtare do të mblidhej tre muaj nga ngritja e tij për të miratuar statutin dhe rregulloren përfundimtare.

Kongresi miratoi rregulloren e Kishës, po atë ditë. Neni 1 ndante Kishën në katër episkopata, sipas mitropolive të deriatëhershme. Ato do të sundoheshin sipas rregulloreve të Patriarkanës: zëvendësitë lokale do t’i drejtoheshin zëvendësmitropolitit dhe ky i fundit Këshillit të Lartë. Këshilli kishte të drejta për të mbrojtur gjithçka që ishin fuqi ligjore e gjykatave kishtare, sipas ligjeve të shtetit. Mbledhjet e Këshillit drejtoheshin nga kryetari ose nga ai që e pasonte në shkallë kryepriftërore, në rast mungese. Mbledhjet duhet të kishin më shumë se gjysmën e anëtarëve dhe vendimet duhet të miratoheshin me shumicë; në rast barazie fitonte ana e kryetarit. Anëtari i Këshillit shpallej i rrëzuar nëse mungonte pa shkak në të dyja mbledhjet vjetore. Punonjësit e Kishës emëroheshin nga kryetari. Arkëtari përbënte përjashtim, pasi zgjidhej nga Këshilli. Ai nuk kishte të drejtë të kryente pagesa pa nënshkrimin e kryetarit, ndërsa kryetari nuk kishte të drejtë të urdhëronte pagesa jashtë buxhetit pa vendim të Këshillit. Neni i fundit përcaktonte pagesat e anëtarëve të këshillit dhe të të gjithë trupës së Kishës.

Ministria e Jashtme kishte goditur në shenjë para një muaji dhe ndante kënaqësinë e rrjedhojave të atij gjykimit me ministrin e Brendshëm, Ahmet Zogun. Ministri shkruante më 14 shtator se analet kombëtare do ta shënonin rëndësinë e ngjarjes dhe falënderonte Zogun për punën e tij në këtë vepër kombëtare. Këshilli i Ministrave vendosi njohjen e vendimeve të kongresit, më 18 shtator. Prefekturat u lajmëruan menjëherë për gjendjen e re kishtare.

Kisha Shqiptare njoftoi patriarkanat, kishat autoqefale dhe mërgatat shqiptare. Atë Josifi nënshkruante telegramin që lajmëronte se Kongresi Kishtar shpalli njëzëri dhe i ngazëllyer Kishën Autoqefale Orthodokse Kombëtare të Shqipërisë. Patriarkanat dhe kishat ortodokse njoftoheshin se kisha qeverisej e pavarur, por mbetej e lidhur shpirtërisht me të gjitha kishat autoqefale dhe Kishën e Madhe Ekumenike. Shteti shqiptar ishte aq i varfër, sa as lajmërimin nuk mund ta kryente shpejt. Ministria e Jashtme arsyetonte më 25 shtator se ishte shtrënguar që lajmërimin ta bënte me pak fjalë, duke përmendur vetëm shpalljen e Kishës, meqenëse telegramet kushtonin tepër. Ndaj, Atë Josifi u lut të dërgonte letra për sqarime të mëtejshme. Letra me arsyet e detajuara të vendimit do të mbërrinte në dyert e Kishave Autoqefale dhe mërgatave vetëm pas një muaji.

Brishtësia e një shteti që nuk mundej as të dërgonte telegrame pa numëruar fjalët tregon se kjo fitore ishte e madhe dhe e arritur për shkak të rrethanave ndërkombëtare. Mitropoliti i Trapezundës e më pas Kryepiskop i Athinës, Krisanthos, arsyetonte pak vite më vonë se Patriarkana Ekumenike jepte asokohe betejën e ankthshme të mbijetesës dhe Greqia ndodhej e shkatërruar nga gjëma e Azisë së Vogël, pa fuqi a denjësi që të ndikonte. Çasti i duhur i dha përparësinë shtetit shqiptar të shpallte autoqefalinë. Mirëpo, beteja veçse kishte filluar…

Kisha Ortodokse në Shqipëri shihte se si episkopët iknin e vinin prej vitit 1900. Mitropolitë qëndronin pa kokë shumicën e kohës dhe kur kishin drejtues, mitropolitët merreshin me punët e shtetit grek më shumë sesa me çështjet kishtare. Ndaj, Këshilli i Lartë Fetar përballej me sfidën e ngritjes së një ngrehine të tërë, që i mungonte Kishës prej 20 vitesh. Frika se mos një pjesë e priftërinjve kundërshtonte vendimet e kongresit doli e pathemeltë. Mitropolia e Korçës u bë e para që mblodhi të gjithë priftërinjtë rreth Kishës Autoqefale. Ata meshuan së bashku më 8 tetor 1922. Grekomanët habitën zyrtarët vendorë, duke u bashkuar me nismën kombëtare. Prefekti i Korçës njoftonte se përpiqej butësisht të fitonte zemrat e tyre. Anëtarët e Këshillit të Lartë u thirrën sërish në Korçë, më 2 dhjetor, për të biseduar mbi vështirësitë e Kishës. Ringritja e shpejtë bënte besimplotë Atë Vasil Markon. Ai mendonte se trupëzimi i Sinodhit mund të kryhej brenda 6 muajsh, pa pritur dy vjet, siç parashihte statuti. Qeveria e miratoi këtë mendim dhe i dha Atë Vasilit pëlqimin që të vepronte.

Përplasjet e vetme ishin të brendshme, gjatë muajve të parë. Fanolistët nuk kursenin asnjë çast për të treguar epërsinë e Nolit. Mëria që krijuan ndaj Visarion Xhuvanit nuk vonoi të shfaqej. Arkimandriti ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë, por gjendja kishte ndryshuar. Përfaqësuesi laik i Mitropolisë së Durrësit në Këshillin e Lartë Kishtar, Simon Shuteriqi, kundërshtoi i pari. Ai u kërkoi pleqësive kishtare të qarkut të zgjidhnin një tjetër zëvendësmitropolit në vend të Xhuvanit. Pleqësitë zgjodhën Atë Dhimitër Dhimitrukën. Durrësi ishte i fundit nga pesë pleqësitë që rrëzoi Arkimandrit Visarin. Xhuvani fajësonte Shuteriqin dhe Atë Vasil Markon për marrëveshje të fshehtë. Ai kundërshtonte rrëzimin me votë të lirë, duke thënë se asnjë anëtar i këshillit nuk do të zgjidhej nëse do të pyeteshin pleqësitë kishtare, prandaj diçka e tillë iu la në dorë fuqiplotëve të Kongresit.

Xhuvani shkoi në Korçë në mesnëntorin 1922 për të marrë pjesë në punimet e Këshillit të Lartë. Shtypi fanolist e priti ftohtë, pa kursyer vërejtjet. “Koha” nënqeshte se Korça plakë kishte parë shumë si Xhuvani, po i kishte “përcjell me limonj”. Atë Vasil Marko nuk e pranoi në mbledhjet e këshillit, duke e shpallur të shkarkuar. Visari pandehte se qeveria do të ndërhynte. Mirëpo, zyrtarët nuk dëshironin të krijonin përçarje dhe ftohje të fanolistëve. Prandaj, arkimandriti iu drejtua miqve të vjetër. Mbështetja më e fortë i erdhi nga Shpati. Kryepleqtë e fshatrave të trevës kërkuan riemërimin e Arkimandrit Visarit, si zëvendësmitropolit i Durrësit. Edhe lagjja e Shën Kollit në Elbasan mori në mbrojtje Arkimandritin, duke u shprehur më 18 nëntor se nuk përfaqësohej nga Lagjja Kala e qytetit. Në fund, mbi 100 besimtarë nga Lagjja Kala, mes të cilëve emra të njohur si Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Taja, Jeftimi Buda, Jan Nosi etj., dolën kundër vendimit të pleqësisë. Kërkesat nuk morën përgjigje. Këshilli i Lartë Kishtar vendosi të mos pranojë asnjë anëtar klerik nga Mitropolia e Durrësit sa të zgjidhej mosmarrëveshja.

Durrësi nuk ishte vendbeteja e vetme. Gjendja ishte e ngjashme në qarkun kishtar të Drinupojës. Këshilli kishte emëruar Atë Pano Gjirokastrën zëvendësmitropolit për të fuqizuar parinë atdhetare. Zgjedhja solli grindje, që u ashpërsua kur zëvendësmitropoliti takoi anëtarët e Komisionit Hetimor të Lidhjes së Kombeve. Atë Pano ishte shprehur se meshimi në shqip do të ishte i detyruar për të krishterët shqipfolës. Sipas Komisionit, prifti kishte pranuar se ata që donin shqipen në kishë ishin shumë pakë, pasi shumica e të krishterëve dhe myslimanëve ishin nën ndikimin e të huajve.
Inspektori i administratës, Vasil Dilo, kërkoi në emër ortodoksëve të qytetit zëvendësimin e menjëhershëm të Atë Panos dhe djalit të tij, që ishte inspektor i Arsimit. Atë Vasil Marko nuk pranoi ta merrte parasysh kërkesën. Ai fajësoi si shkaktar të ngjarjes përkthyesin e Komisionit, njëherazi bashkëpunëtor i Vasil Dilos. Marko theksonte se Atë Pano ishte ndër të parët në lëvizjen kishtare dhe kombëtare në Gjirokastër që përpara pavarësisë. Sipas tij, zëvendësmitropoliti nuk kishte diturinë dhe dhelpërinë e kundërshtarëve. Ai shprehej se Atë Pano mund të zëvendësohej me dikë tjetër që do të kishte më tepër njohuri, por jo më tepër atdhetari.

Ministria e Brendshme ia la në dorë Atë Vasilit zgjidhjen e çështjes dhe njoftoi se do të vijonin hetimet për Vasil Dilon. Atë Vasil Marko kërkoi dorëheqjen e Atë Panos në fillimmars dhe e zëvendësoi me priftin pogradecar, Atë Thanas Nikolla. Vendimi erdhi pasi u vlerësua nga zyrtarët vendorë se prania e Atë Panos krijonte përçarje me grekomanët e fshatrave përreth Gjirokastrës. Zgjidhja e dy çështjeve mundësoi fuqizimin e brendshëm të Kishës. Çështjet e rëndësishme që kishin mbetur: njohja e autoqefalisë dhe plotësimi i Sinodhit ishin pikat kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Lartë dhe shtetit shqiptar.