Koço Kokëdhima: Tradhëti kombëtare e Edi Ramës. –

Nga Koço Kokëdhima –

28 tetori i vitit 1940 që njihet si dita e ‘JO’-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke dhe më e rëndësishmja e kalendarit zyrtar grek, do të festohet edhe në Shqipëri. Vendimi i bërë publik nga ana e Ministrisë së Jashtme Greke thotë se dokumenti është firmosur gjatë kohës së vizitës së ish-Ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Kotzias, në qytetin e Korçës në vitin 2018 dhe takimit të Kretës në vitin 2017.

Nuk ka fjalë për të përshkruar këtë akt tradhëtie nga qeveritarët gjakprishur që flasin dhe firmosin në emër të shqiptarëve. Të pranosh se 28 tetori është ditë feste zyrtare edhe për Shqipërinë do të thotë të pranosh se ushtria greke ishte çlirimtarja e jugut në vitin 1940. E vërteta historike është tjetër. Me pretekstin e çlirimit të Greqisë nga Italia fashiste, ushtria e saj justifikoi pushtimin e Jugut të Shqipërisë, për të realizuar ëndrrën e vjetër shoviniste të “Vorio Epirit”, bëri, për të disatën herë, masakrat më të përgjakshme ndaj popullsisë civile dhe të pambrojtur shqiptare dhe mbushi me grekë dhe nëpunës filogrekë administratat vendore në bashkitë dhe prefekturat e jugut shqiptar.

Çlirimi i jugut dhe i gjithë Shqipërisë është paguar me gjakun e mijëra dëshmorëve, djem dhe vajza të reja që nuk kursyen as jetën për vendin e tyre. Shqipëria ishte ndër vendet e pakta në Europë që u çlirua vetëm me forcat e veta nga okupatorët nazifashistë dhe Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është një margaritar i historisë sonë për liri dhe pavarësi.

Populli shqiptar nuk duhet të lejojë që zyrtarë të saj tradhëtarë të mohojnë gjakun e dëshmorëve dhe të falsifikojnë historinë për interesa politike. Nëse vota e Greqisë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së do të thotë të zhbëhet dhe falsifikohet historia, nuk e duam atë. Gjaku i dëshmorëve dhe brezat e ardhshëm nuk do të na e falin kurrë këtë.

ZGJIDHJA i bën thirrje qeverisë shqiptare që të tërhiqet nga kjo lojë e ndyrë, antikombëtare dhe mohuese e historisë sonë të lavdishme. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ekipi negociator të shkarkohen dhe të merren të pandehur për tradhëti ndaj interesave të larta të vendit. Presidenti i vendit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të informojë publikun se çfarë tjetër është pranuar dhe firmosur nga këta zyrtarë antishqiptarë dhe gjakprishur, në dëm të tërësisë territoriale, sovranitetit, integritetit dhe historisë së vendit. Shqipëria është një vend sovran. Ajo ka vuajtur ndër shekuj nga lakmitë e fqinjve dhe është kombi më i copëtuar në Europë. Asnjë marrëveshje nga askush nuk do të jetë legjitime. Vetëm populli i shumëvuajtur shqiptar do ta shkruajë historinë dhe do të vendosë për të ardhmen e vet. Tradhëtarët do të përfundojnë në koshin e plehrave të historisë.

Gazeta: Koha e Jone.