6 Shtator 2023

Monumentet e arkitekturës janë trashëgimia që na njohin me periudhën mesjetare dhe me stilin e ndërtimit bizantin.

Ka zëra që pretendojnë se kisha e Labovës së Kryqit, në Gjirokastër është ndërtuar rreth vitit 554 në kohën e Justinianit I. Ndërkaq, studiuesit mendojnë ndryshe.

Kjo është një nga kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë, por ka dhe tipare të veçanta që e dallojnë nga tipi. Kisha në gjendjen e sotme përbëhet prej bërthamës së vjetër gati katrore në plan, dhe shtesave në anët jugore, veriore dhe perëndimore.

Në vitin 1776 i janë rindërtuar absidat dhe janë bërë një sërë përfocimesh në brendësi, për të mbajtur strukturat e dëmtuara nga koha. Kisha e vjetër, ndërkaq, përbëhet nga pjesa qendrore katrore mbuluar me kupolë, nga e cila hapen katër krahët e kryqit të mbuluar me qemerë cilindrikë.

Pjesa qendrore me kupolë ndahet nga pjesët anësore nëpërmjet arkadave treshe dykatëshe, duke u theksuar, në këtë mënyrë, vëllimi qendror i naosit.

Kupola mbështetet mbi harqet mbajtës që ngrihen mbi katër pilastra masive në këndet e këtij vëllimi qendror. Nga ana e jashtme muret janë ndërtuar me gurë e tulla, dekoruar me stilin e njohur klausonazh.

Kisha e Labovës së Kryqit, dilemat mbi periudhën e ndërtimit

Tipologjikisht, forma e veçantë shpjegohet, nga njëra anë, me ndikime të tipave të vjetër të Selanikut e Kostandinopojës (shek. VIII-IX), nga ana tjetër me përpjekjet që bëhen në Kostandinopojë e gjetkë në fund të shek. XII për të gjetur shprehje të reja arkitekturale në formimin e pjesës qendrore. /ATSH/

Nga Nga OraNews