Kim Mehmeti argumentoi qëndrimin e tij se pse nuk mbështet dialogun e Ramës me studentët. –

19 December 2018

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti i sheh dhe i diferencon pengmarrësit, mendimtarët dhe mëkatarët shqiptarë të Shqipërisë.

Kim Mehmeti: Kemi nisur dekadën e tretë ku jetojmë vetëm me gënjeshtra dhe premtime të kota. Shpesh shqiptaria në përgjithësi dhe Shqipëria të ngjajnë si një “lopë” që për brirësh e mbajnë opinionistë të ndryshëm, mendimtarë të ndryshëm që gjithashtu janë mëkatarë për këtë që ndodhi që sa më lehtë politikanët ta mjelin. Erdhi koha kur nuk mundet më. Këtë mund ta bënin vetëm studentët. Boshti kurrizor i një populli është rinia studentore.

I ftuar në Ora News, Mehmeti argumentoi qëndrimin e tij se pse nuk mbështet dialogun e Ramës me studentët.

Kim Mehmeti: Kryeministri i Shqipërisë prej 5 vitesh flet për kazanin mediatik. Në fund ai nuk e vërejti që qeverinë e tij e shndërroi në një hale dhe vetë mbeti ai kazanxhiu që lëshon apo ndal ujin me të cilin lan jashtëqitjet kriminale, jashtëqitje të të gjitha kategorive. Në një situatë të tillë më duket pak absurde të bisedosh me një njeri të tillë. Ai e sheh pozitën e kryeministrit të tillë që të bësh garë dhe me popullin tënd. Nuk mund të dialogosh për atë që të takon. Ai është i zgjedhuri i popullit jo e kundërta.

Për Kim Mehmetin, qeveritarët e Shqipërisë drejtojnë ende me mentalitetin e Enver Hoxhës.

Kim Mehmeti: Kjo protestë zbuloi se sunduesit e Shqipërisë sundojnë ende me mentalitetin e Enver Hoxhës. Kryeministri tërë kohën mbron ligjin duke thënë se i është dhënë autonomi Universitetit. Nëse është ashtu a guxon një Kryeministër të shkojë të grumbullojë rektorët, dekanët dhe ti qortojë si fëmijë të vegjël dhe ata të ngratët të sillen si fëmijë. Unë nipërit nuk i qortoj dot ashtu si Rama rektorët e Universiteteve. A mundet që kryeministri të shkojë fakultet më fakultet dhe të mbajë mitingje me studentët. Kryeministri jeton në Shqipërinë e vet, është mendësi që nuk pranon asnjë mendje tjetër përpos të vetes. Ai eliminim e solli këtu, është i vetmuar. Në Shqipëri nuk përdoret më “populli shqiptar”, por “populli opozitar” dhe “populli pozitar”.

Protesta e Tiranës frymëzoi dhe Tetovën dhe publicisti Mehmeti thotë se është koha që kryeqyteti shqiptar të bëhet çadra e mbarë shqiptarisë.

Kim Mehmeti: Do të doja që Shqipëria njëherë e përgjithmonë të bëhet çadra e shqiptarisë. Dua që më në fund që ne të funksionojmë mbarëshqiptarçe. Mjaft na copëtuan dhe partitë. Kemi ardhur deri aty sa hajduti i partisë sonë nuk na pengon sepse na jep diçka, por na pengon vetëm hajduti i partisë tjetër. Kështu u bëmë të gjithë hajdutë. Kjo protestë do të shkojë dhe më thellë.