“Javë problematike”- Stuhi, rrebeshe e vetëtima, ja si parashikohet moti për ditët në vijim

 12 Tetor 2020

“E sikletshme dhe problematike”, kështu pritet të jetë kjo javë, sa i përket motit, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak. Parashikohet që pjesa më e madhe e ditëve të javës të jetë kryesisht me mot të vranët shoqëruar me reshje shiu.

Ditën e sotme, moti parashikohet fillimisht me vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formë shtrëngatash.

Pas orëve të mesditës deri në orët e mesnatës, për shkak të kalimit të një sistemi frontal, reshjet e shiut fitojnë intensitet në të gjithë territorin. Ato bëhen të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë. Zona e jugut si dhe vija bregdetare parashikohen të kenë sasinë më të lartë të reshjeve.

Duke nisur nga dita e Martë deri në orët e mesditës të ditës së Enjte moti do të jetë kryesisht me vranësira mesatare deri të dendura por lokalisht nuk do të mungojnë edhe intervalet me diell. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive afatshkurtër.

Nga orët e mesditës të ditës së enjte e deri në orët e mesditës të ditës së Premte mbi vendin tonë do të përshitet “skenari” i ditës së Hënë.

Moti do të jetë me vranësira të dendura dhe reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë.

Intensiteti i lartë nis fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat jugperëndimore dhe veriperëndimore, për tu shtrirë më pas në pjesën më të madhe të territorit.

Si ditën e Hënë ashtu dhe atë të enjte dhe të premte këto reshje do të jenë në formën e stuhive, rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Intensiteti i reshjeve bie pas orëve të pasdites së ditës së premte.

Gazeta Shqip