Ja si Blendi Gonxhe shkatërroi zonat arkeologjike, legalizoi 156 ndërtime pa leje pas nisjes së punimeve, dalin…

14 Gusht 2026
Endri Haxhiu shfaqet prej vitesh pranë Blendi Gonxhes, duke e ndjekur atë në disa prej posteve më të rëndësishme që ka mbajtur. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, te Ministria e Kulturës, Haxhiu ka vijuar të jetë pjesë e strukturave ku ka ushtruar detyrën Gonxhe. Në fund të nëntorit 2018, pak kohë pasi Gonxhe mori drejtimin e DPSHTRR-së, Haxhiu u emërua fillimisht ekonomist dhe më pas zv/drejtor. Gjatë kësaj periudhe ai mori kompetenca të rëndësishme në institucion.
Në janar 2024, kur Gonxhe u emërua ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Haxhiu vijoi të mbante një rol të rëndësishëm në strukturat e Transportit. Më 30 korrik 2025 u emërua zyrtarisht Drejtor i Përgjithshëm. Por lëvizja e radhës është ajo që tërheq më shumë vëmendjen.
Në nëntor 2025, pasi Gonxhe ishte tashmë në krye të ministrisë përgjegjëse edhe për kulturën, Haxhiu u largua nga Transporti dhe u emërua Drejtor i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Pra, i njëjti bashkëpunëtor që kishte ndjekur Gonxhen në strukturat e Transportit, kaloi tashmë në një institucion që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Haxhiut iu dhanë edhe kompetenca si Sekretar i Këshillit Teknik, pavarësisht se profesioni i tij është ekonomist. Dhe pikërisht në këtë periudhë dalin në pah dokumentet që ngrenë pikëpyetje.
Emërimi
Ky emërim është skandaloz, por Blendi Gonxhes i duhet dhe po e përdor Endri Haxhiun për shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, me lejet dhe ekspertizat false, për t’i dëmtuar, degraduar e zhdukur, siç po vepron me monumentet në Shkodër, konkretisht me masakrën e shembjes së Gjuhadolit, për të ndërtuar ndërtesa me shumë kate. Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se gjatë 7 muajve janar-korrik 2026 në detyrë, Endri Haxhiu ka miratuar dhe firmosur në total 237 vendime si Sekretar i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe 111 vendime si Kryetar i Këshillit Teknik.
Sipas konstatimeve, 156 vendime janë me relacione miratim lejesh për të kryer ndërtime në zona arkeologjike e të trashëgimisë nga kompani private, disa muaj pas nisjes së punimeve për resorte, kulla, hotele, komplekse pallatesh e vilash, madje edhe pas përfundimit të ndërtimeve. Sipas ligjit, verifikimi, relacioni dhe miratimi i lejeve për të kryer punime ndërtimi e restaurimi në zonat arkeologjike dhe objekte të trashëgimisë kulturore duhet të jepet para marrjes së lejes së ndërtimit, ose minimalisht para nisjes së punimeve.
Por Endri Haxhiu i Blendi Gonxhes ia ka dhënë relacionet dhe miratimet formale e false pas nisjes dhe kryerjes së ndërtimeve, me mashtrime sikur nuk cenohen zonat arkeologjike e monumentet e kulturës, duke lejuar masakrën në vlerat e trashëgimisë kombëtare.
Ja disa vendime me leje arkeologjike false të dhëna pas nisjes dhe përfundimit të punimeve:
Vendim Nr. 53, datë 20 maj 2026, me objekt miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik për kullën “Paskone”, godinë banimi dhe shërbimesh me 15 kate mbi tokë e 1 kat parkimi nëntokë, në rrugën “Fan Noli” Kamëz, me zhvillues kompaninë “Kontakt” të Fatmir Bektashi e dhëndrit Jamarbër Malltezi të Sali Berishës. Vendim Nr. 73, datë 26 qershor 2026, me objekt miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik të kullës “Naya”, godinë banimi dhe shërbimi me 17 kate mbi tokë dhe 2 kate parkimi nëntokë, në rrugën “Gjon Simoni” Tiranë, përsëri me zhvillues kompaninë “Kontakt” të Fatmir Bektashi e dhëndrit Jamarbër Malltezi të Sali Berishës.
Vendim Nr. 38, datë 13 shkurt 2026, me objekt miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik për lejimin e zbatimit të projektit resort multifunksional me vila e shërbime “Amantes” faza 1 e 2 në Himarë, nga kompania “Bega 07” e trafikantit Arben Muçobega dhe “Capital B”, pas të cilëve qëndron ministrja Mirela Kumbaro. Ja falsifikimi dhe mashtrimi që ka bërë Endri Haxhiu i Blendi Gonxhes: Miratimin e relacionit arkeologjik e të trashëgimisë e ka dhënë më 13 shkurt 2026, rreth 2 vjet pas lejes së ndërtimit dhe nisjes së punimeve.
Madje, përveç falsifikimit të relacionit, shkelja e drejtorit Endri Haxhiu është shumë e rëndë, pasi ky resort po ndërtohet në Gjirin e Llamanit në Porto-Palermo, që është shpallur zonë e mbrojtur “Park Natyror” me pasuri arkeologjike, ku ndalohet çdo lloj ndërtimi. Vendim Nr. 32, datë 13 shkurt 2026, për miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik për projektin “Kompleks hotelerie, banimi dhe shërbimesh 5 kate mbi tokë e 2 kate parkimi nëntokë” në Radhimë, me zhvillues subjektin “Baitel-Bojo Resort”; ku shkatërrimi është kryer, megjithëse është zonë arkeologjike ku nuk lejohen ndërtime.
Reagon Gonxhja
Ndërkohë sa i takon këtyre denoncimeve ka reaguar dje në rrjetet sociale Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. “Bjeri ti biem Gonxhes se si shumë po ngre kokë ministria që drejton? Apo orekse e porosi gushti e shtatori helbete? Se thes mielli ta harrojnë! Thes boksi mbase, nxirreni dufin, fort! Po pemës me kokrra i sulen, dihet – IKTK sot një model shërbimi, profesionalizmi e zero burokracie, jo në komoditet, me shumë sakrificë e përkushtim kolektiv por dhe drejtimi. Krenari për MTKS rezultatet dhe puna konkrete, e prekshme, plot risi dhe reformuese e sistematike, si edhe transparente, e ekipit të IKTK!
Ndërruar faqja institucionit në shifra, në volum praktikash të zgjidhura, në sukses programesh e projektesh për trashëgiminë e rijetëzimin e historisë përmes ndërveprimit administrativ por dhe bashkëpunimeve të shumta. Unë dhe ministria që drejtoj nuk jemi refraktarë ndaj asnjë kritike, auditi, kontrolli apo kërkese llogarie, ama nuk do lejojmë kurrë të cenohet dinjiteti i punonjësve pa asnjë provë, pa asnjë bazë apo arsye të ligjshme, e aq më keq të heshtim kur sulmet janë dukshëm antigazetari e shpifje.
Loja e ripostimeve, portal pas portali nuk e pastron burimin e as legjitimon dot lajmin e rremë, baltën e fabrikuar apo porositësin e fshehur pas kuintave. Do gjejmë kohën jo vetëm të punojmë energjikisht për rekorde punësh të mira për vendin, sektorin dhe misionin tonë ekzekutiv e politik por edhe për t’u grisur maskat dhe fletë-gjobat tërë regjive okulte e frengjive urrejtëse të mirëqeverisjes dhe të zhvillimit!”, shkroi dje ministri Gonxhja.
Reagon Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore
Nga ana tjetër, edhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ndaj një artikulli ku pretendohej se janë “legalizuar” ndërtime në zona arkeologjike. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i cilëson këto pretendime të pasakta, dezinformuese dhe të keqinterpretuara. Në reagimin zyrtar, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaron se as ky institucion dhe as organet kolegjiale, Këshilli Teknik dhe Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, nuk legalizojnë ndërtime dhe nuk miratojnë leje ndërtimi.
Sipas institucionit, vendimmarrjet e këtyre organeve për projektet zhvillimore lidhen vetëm me miratimin e raporteve për vlerësimin e potencialit arkeologjik ose të vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor. Këto vendime, theksohet në reagim, nuk kanë të bëjnë me ndërhyrje që cenojnë zonat e klasifikuara si pasuri kulturore. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaron se procedura për pajisjen me leje ndërtimi zhvillohet pranë institucioneve të tjera kompetente, në bazë të ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore thekson gjithashtu se vendimet e Këshillit Teknik dhe Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale mbështeten në ekspertizën e specialistëve të licencuar në fushën e arkeologjisë. Në përfundim, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore fton opinionin publik, specialistët dhe mediat të njihen nga afër me punën e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Nga Gazeta Sot
