Izolohet zjarri në Priskën e Madhe, një helikopter dhe forcat në terren punojnë për shuarjen e plotë!

14 Gusht 2026
Situata është nën kontroll në vatrën e zjarrit të nisur në Priskë të Madhe dhe të përhapur më pas në Lundër, Gurrë të Madhe dhe Farkë të Madhe. Ndërhyrja vijon për shuarjen e plotë të flakëve dhe për të shmangur riaktivizimin e tyre.
Aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat në katër fshatrat e përfshirë nga zjarri.
Shkurret e dendura dhe terreni i vështirë e bëjnë të pamundur ndërhyrjen me mjete nga toka në disa pjesë të zonës. Për këtë arsye, operacioni po vijon edhe nga ajri me një helikopter, i cili furnizohet me ujë në liqenin e Farkës, shumë pranë vatrave të zjarrit.
Në terren ndodhen gjithashtu dy ekipe zjarrfikësish, punonjës të bashkisë dhe të emergjencave civile.
Nga ana tjetër, zjarri në Malin e Dajtit vijon të jetë shqetësues. Forcat e tjera ajrore janë përqendruar në zonën malore të Dajtit, ku zjarri i rënë në Qafë Mollë është përhapur dhe ka kaluar edhe në faqen tjetër të malit, e cila është e dukshme nga qyteti i Tiranës.
Edhe në këtë vatër nuk paraqitet rrezik për banesat. Megjithatë, situata mbetet shqetësuese për shkak të dëmeve që po shkaktohen në zonën e Dajtit, e cila është zonë e shpallur Park Kombëtar.
